Ish-ministri: Rama bën spektakël për të hequr vëmendjet nga skandalet që kanë mbërthyer qeverisjen e tij

Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj i ftuar në ‘News 24’, duke komentuar operacionet e OFL, deklaroi se ata janë antikushtetuese dhe se shkelen të drejtat e njeriut.

Sipas Mustafajt, Rama bën spektakël me të tilla operacione, për të hequr vëmendjet nga skandalet që kanë “mbërthyer” qeverisjen e tij.

“Juristët e kritikojnë këtë operacion. Qeveria Rama ka bërë shkelje të të drejtave të njeriut. Komiteti i Helsinkit ka bërë një kritikë këtë herë. Nuk mundet që policia të dalë mbi gjykatat. Nëse nuk i konfirmon gjykata, atëherë këtu kemi problem, sepse i bie që policia ka vepruar në mënyrë të paligjshme. Unë kam prirjen të bashkohem me profesionistët që thonë se është antikushtetuese dhe shkel të drejtat e njeriut. Edi Rama kërkon të bëjë një spektakël, që të krijojë një imazh rreth vetes, edhe pse është akuzuar si njeriu më i korruptuar në Shqipëri. Unë nuk besoj se anti-KÇK e Ramës është zgjidhja magjike për të bërë që Franca e vende të tjera të BE që të heqin dorë nga skepticizmi”, tha Mustafaj.

I pyetur për qeverinë Kurti në Kosovë, Mustafaj u shpreh se maxhoranca e re në Prishtinë ka presion ndërkombëtar sa i përket qasjes ndaj taksës ndaj Serbisë.

“Sjellja e opozitës është klasike. Asnjë opozitë nuk i thotë qeverisë mirë se erdhe. Tani çfarë sfidash ka. Unë besoj se ka disa sfida shumë të mëdha, që kryeministri Kurti nuk ka dhënë shenja që ka zgjidhje në kokën e tij. Nuk e dimë si do të sillet për taksën 100 përqind, nuk dimë si do të veprojë me bisedimet me Serbinë. Gjithë presioni ndërkombëtar është përqëndruar në taksën 100 përqind ndaj Serbisë dhe në vazhdimin e dialogut Prishtinë – Beograd. Sfida e marrëdhënieve me Serbinë është një sfidë shumë e madhe. Mbetet të shikohet”, u shpreh Mustafaj.

Besnik Mustafaj vlerësoi se LDK e Vetëvendosje do ta kenë të vështirë që të kenë një plan të përbashkët ekonomik, duke qenë se edhe si parti politike kanë ideologji të ndryshme.

“Ambasada amerikane tha se duhet fokus tek gjendja ekonomike. E vërteta është se gjendja ekonomike në Kosovë është e keqe. Kjo qeveri ka ngjallur pak shpresë, por prapë nuk është e qartë sesi do ta rrisë ekonominë Albin Kurti. Nuk ka hartim të planit ekonomik, nuk është paraqitur në parlament. Do të kemi besoj unë surpriza, sepse në program ekonomik të ndërthurur, pasi ndryshon qasja e LDK me Vetëvendosjen”, tha Mustafaj.