Intervista e Abidal që zemëroi Messin

Reagimi i Lionel Messit ndaj Eric Abidalit ka shkaktuar një kaos te Barcelona, pasi që kjo zënkë është mes kapitenit të skuadrës dhe ish-futbollistit e drejtorit sportiv të klubit katalonas.

Argjentinasi Lionel Messi ishte provokuar nga Eric Abidali, i cili kishte sugjeruar se lojtarëve ishin pjesë e arsyeve për shkarkimin e Valverdes. Messi reagoi ashpër, duke thënë se drejtuesit duhet t’i marrin përgjegjësitë për punën e tyre.

“Unë i shikova ndeshjet dhe nuk i shikova rezultatet. Por, i shikova se si po luheshin ndeshjet, taktikat dhe punën e lojtarëve të cilët nuk luanin shumë. I shikoja këto detaje”, ka thënë Abidal.
“Shumë lojtarë ishin të pakënaqur ose nuk po punonin mjaftueshëm dhe kishte një problem me komunikimin e brendshëm. Trajneri kishte marrëdhënie të mirë me lojtarët në zhveshtore, por, si ish-lojtar, ka disa gjëra që unë mund t’i nuhas”.

“Ia tregova klubit mendimin tim dhe atyre u takoi ta merrnin vendimin”.

Valverde u shkarkua në gjysmë të janarit, edhe pse Abidali e sqaroi se shkarkimi i tij kishte qenë në proces e sipër për rreth një muaj.

“Ishte një vendim i klubit, por ne veçse e kishim parë se problemi ishte i brendshëm. Nuk është kurrë e lehtë të marrësh vendime të tilla, por pas El Clasicos më 18 dhjetor, ne filluam t’i specifikonim disa gjëra lidhur me largimin e tij”, sqaroi Abidali.

Quique Setien është tani trajner i Barcelonës dhe Abidali është i kënaqur që katalonasit e kanë gjetur një person të përshtatshëm për këtë post.

“Ai e ka ADN-në që nevojitet. Ai e kupton rëndësinë e të punuarit me detajet e vogla dhe lojtarët të cilët nuk po luajnë ndihen pjesë e grupit. Komunikimi duhet të jetë i rrjedhshëm dhe kjo e bën skuadrën më të bashkuar dhe më të mirë”, përfundoi Abidali.

Por Messit duket se nuk i kanë pëlqyer komentet e Abidalit, pasi argjentinasi i ka bërë thirrje ish-bashkëlojtarit të vet të flasë me emra ose të mos bëjë fare komente për skuadrën.

“Sinqerisht, mua nuk më pëlqen ta bëj këtë, ama mendoj se të gjithë duhet të jenë përgjegjës për punën e vet dhe ta marrin përgjegjësi për vendimet e veta”, shkroi Messi në Instagram.

“Lojtarët janë përgjegjës për atë që ndodh në fushë, ne po ashtu, jemi të parët që e pranojmë kur nuk luajmë mirë. Edhe ata që udhëheqin me drejtorinë e sportit duhet të përballen me përgjegjësitë e tyre dhe mbi të gjitha, t’i marrin vetë vendimet që u takojnë”, shtoi ai.

“Për fund, mendoj se kur flet për lojtarët, duhet të thuash emra sepse ndryshe po ia njollos emrin secilit dhe po i ushqen thashethemet që shpërndahen dhe nuk janë të vërteta”, përfundoi argjentinasi.