“Ndërkombëtari” Edi Rama po mbetet pa rol

Nga Bardh SPAHIA

Nuk flet dot për krimin që po sfidon përditë shtetin, e as për shtimin e kanabizimit të vendit, sic e solli qartë RAI 3. Nuk flet dot as për paketën antishpifje, nga e cila u detyrua të smbrapsej, kur e kuptoi se fuqia numerike e financiare, nuk i ecën përpara standarteve, që të tjerë i zbatojnë prej dekadash, edhe kur pinjolli i bllokut shijonte rehatinë e diktaturës.

Tema e vetme që i ka mbetur për të trajtuar, sepse i ka dalë përpara për zgjidhje është menaxhimi I pasojave të tërmetit. I kanë shterruar “armiqtë”, ku të delegojë kusuret e veta. Flet për zinxhir përgjegjësish për ndërtimet, që sipas tij duhet të shkojnë deri tek arkitektët.

Akrobati Edi Rama spërdridhet mes përgjegjësive të të shkuarës e të tashmes, që i janë bërë bashkë. Si kryebashkiak ka firmosur për 11 vite leje ndërtimi në Tiranë. Si kryetar i PS e kryeministër ka mbështetur modelin e vet në Tiranë prej 2015-ës, e më herët edhe modelin e akullores në Durrës prej 2007-ës.

Hall të madh ka, sepse duart i ka të zëna me tepsinë, që e ka për vete prej 2017-ës. Ky roli i mësuesit të oratorisë pastaj, është sforcimi qesharak për t’i dhënë qytetarëve një “Portokalli” të lodhur nga foltorja e kuvendit.

Matja pastaj me “opozitën e re” e shpallja me zë e figurë, se fjalimet I ka të nivelit ndërkombëtar, na tregon se sa rëndë është njeriu i mbetur pa rol, vec për të shmangur përgjegjësitë.