Ballina Aktualitet Kush është porositësi i pengmarrjes së Prengës

Kush është porositësi i pengmarrjes së Prengës

Dritan Rexhepi, i cili njihet dhe si Gramoz Rexhepi është një prej personave që dyshohet se urdhëroi pengmarrjen e Jan Prengës, i cili më pas u vra. Prej më shumë se 5 vitesh, Dritan Rexhepi, ndodhet në burg në Ekuador, si “koka” i një rrjeti trafiku kokaine. Ai u arrestua atje në vitin 2014 duke transportuar një ngarkesë prej 278 kg kokainë.

Dyshohet se nga burgu ekuadorian, në bashkëpunim me persona të tjerë, ai porositi pengmarrjen e Jak Prengës, 49 vjeç, baba i pesë fëmijëve, thanë burime pranë grupit hetimor.

Prej më shumë se një dekade. Dritan Rexhepi ka qenë në listën e më të kërkuarve. Ai ka mundur të arratiset si nga burgjet italiane ku ishte duke vuajtur një dënim, si dhe të shmangë arrestimin nga autoritetet spanjolle, belge, e britanike, për t’u kapur vetëm në vitin 2014 në Ekuador.

Dyshohet se rrëmbimi ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve për çështje droge në Britaninë e Madhe. Vëllai i viktimës, në gusht të vitit 2017, u dënua me 8 vite e gjysmë burg për trafik kokaine. Astrit Prenga, vëllai i Jak Prengës, dyshohet se nuk kishte dorëzuar një ngarkesë prej rreth 300 kg lëndë narkotike kokainë te grupi kriminal i Dritan Rexhepit në Britaninë e Madhe.

Për rrjedhojë banda urdhëroi marrjen peng të 49-vjeçarit për t’i bërë shantazh vëllait të tij, Por për shkak të dhunës së ushtruar, babai i pesë fëmijëve ka ndërruar jetë përpara se të dërgohej në vendin ku do të mbahej peng, në resortin e familjes Hajri në Shijak.

Në Shqipëri i dënuar me 25 vite burg
Në Shqipëri ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy policëve. Në vitin 1999 Rexhepi u hetua dhe më pas u akuzua për vrasjen e policëve Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998 në Fushë-Krujë, ku së bashku me të u akuzuan edhe disa persona të tjerë. Në ngjarje, rastësisht u vra dhe pronari i një lokali në Krujë, Raim Bakiasi.

Mjeshtri i arratisjeve
Ai kishte arritur të arratisje nga komisariati i Durrësit, ku ishte ndaluar në vitin 2006, dhe në vijim Rexhepi është arratisur edhe nga burgjet në Itali e Belgjikë, duke u kthyer në një prej personave më të kërkuar nga Interpoli. Në vitin 2014, Shqipëria i kishte kaluar Ekuadorit dosjen për ekstradimin e vlonjatit Rexhepi. Në fakt në garë për ekstradimin e tij janë edhe shtete të tjera të Europës si, Italia, Spanja apo Britania e Madhe, vende në të cilat akuzohet për vepra të rënda penale.

Në Spanjë në korrikun vitit 2011, Rexhepi do të shpallej në kërkim për grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë. Grabitjen shqiptari e kishte kryer në një natë magjike për katalanasit, pikërisht në momentin kur gjithë Katalonja gjendej në shesh duke festuar fitoren e “Champions Ligë”-s nga Barcelona. Rexhepi u kërkua për ekstradim nga 4 shtete.

Arrestimi në Ekuador me 278 kg kokainë
I shumëkërkuari u arrestua në Katalunja të Ekuadorit në vitin 2014, tre vjet pas arratisjes spektakolare nga një burg i Belgjikës. Shqiptari ishte ndaluar që në fund të muajit qershor nga policia e Ekuadorit, si pjesë e një grupi që u kap me 278 kilogramë kokainë. Megjithatë, askush nuk kishte dijeni për emrin e vërtetë të tij, pasi i kërkuari kishte ndryshuar pamjen dhe identitetin duke mbajtur një pasaportë greke me identitet të rremë.

Dritan Rexhepi me pamje të ndryshuar pas arrestimit në Ekuador
Është dashur verifikimi i Departamentit të Daktiloskopisë së zyrës qendrore të Interpolit në Lion që të zbulonte identitetin e vërtetë të tij. Gjurmët e gishtave zbuluan se personi i arrestuar ishte pikërisht 34-vjeçari nga Vlora, emri i të cilit ndodhej në listën e 10 personave më të kërkuar nga Interpoli.

Exit mobile version