Kina në rrezik, virusi përhapet në çdo rajon, rritet numri i viktimave

Numri i vdekjeve nga Coronavirus, në Kinë ka shkuar deri në 170, ndërsa një rast tjetër është konfirmuar në Tibet, që do të thotë ka arritur në gjitha rajonet e Kinës.

Vetëm më 29 janar, numri i të prekurve ishte 7,711 në të gjithë vendin, kanë bërë ditur Autoritetet e Shëndetit në Kinë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Infeksionet janë përhapur së paku edhe në 15 vende të tjera.

Organizata Botërore e Shëndetit, do të jetë prezente të enjten në Kinë për të parë nëse virusi po shkon drejt një emergjence globale.

“Ditëve të fundit përhapja e këtij virusi ka filluar të na brengosë shumë”, ka thënë të mërkurën drejtori gjeneral i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai përmendi Gjermaninë, Vietnamin dhe Japoninë, si tri shtete që morën virusin nga vizitat në Kinë.

“Edhe pse numri i të prekurve jashtë Kinës është i vogël, gjasat që të zgjerohet janë të mëdha”, u shpreh tutje drejtori i OBSH-së.

Numri i të prekurve në Kinë nga ky virus kalon shifrën e të prekurve nga Sindromi akut i frymëmarrjes në vitin 2000, megjithëse numri i vdekjeve është më i vogël.