Alarm për virusin vdekje-prurës në Kinë, 200 të infektuar, rrezikohet epidemia

Një person i katërt i infektuar nga virusi misterioz i Kinës ka ndërruar jetë në këtë vend duke bërë që autoritetet të japin alarmin.

Ato konfirmuan se virusi i ri mund të përhapet nga njeriu në njeri, ndonëse më parë besohej se ai po përhapet përmes kafshëve të sëmura.

Një burrë 89-vjeçar ishte viktima e fundit e virusit që e shkakton një lloj pneumonie. Ai jetonte në Wuhan, pikërisht në qytetin ku u shënuan rastet e para.

Më shumë se 200 raste të infektimit janë raportuar në qytetet kryesore të Kinës, përfshirë Pekinin dhe Shangain.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë konfirmoi të hënën se dy raste të infektimit në provincën Guangdong janë rezultat i përhapjes nga njeriu në njeri.

Në një deklaratë tjetër, Komisioni Komunal i Shëndetësisë në Wuhan njoftoi se së paku 15 punëtorë shëndetësorë janë infektuar me këtë virus, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike.