Harry: Përse vendosëm të largohemi nga Britania

Princi Harry i Mbretërisë së Bashkuar, thyen heshtjen, disa ditë pas vendimit që bashkë me të shoqen Meghan Markle të heqin dorë nga detyrimet dhe përfitimet e familjes mbretërore.

“Britania e Madhe është shtëpia ime, një vend që e dua. Kjo gjë nuk do të ndryshojë kurrë, por unë dhe Meghan nuk kishim zgjidhje tjetër”, tha Harry, gjatë një eventi bamirësie të mbajtur në Londër këtë të diel.

Më tej ai tha se dëshiron që ta dëgjojnë prej tij të vërtetën për ikjen e tyre nga Anglia dhe dorëzimin e ofiqeve mbretërore.

“Para se të nis, dua të them se mund ta imagjinoj atë që keni dëgjuar apo lexuar gjatë javëve të fundit. Për këtë arsye dua që ta dëgjoni të vërtetën nga unë. Jo si një princ, jo si një dukë, por si Harry, i njëjti person që shumë prej jush e kanë parë teksa rritet në këto 35 vitet e fundit, por me një perspektivë më të qartë”, tha Harry.

Kurse shtoi se ai dhe Meghan kanë dhe ndajnë të njëjtat vlera. “U rrita duke pasur mbështetjen e shumë prej jush dhe ju kam parë teksa e prisnit Meghan krahëhapur. E di edhe që keni besim mjaftueshëm në faktin që gruaja që kam zgjedhur, ka të njëjtat vlera si unë.

Ajo është gruaja me të cilën jam dashuruar. Pas martese unë dhe Meghan ishim shumë të lumtur dhe të nderuar që do të shërbenim për mbretërinë tonë. Por gjërat kanë ndryshuar. Vendimi për time shoqe nuk ishte aspak i lehtë. Kemi kaluar shumë muaj me diskutime dhe beteja. E di që nuk kisha gjithmonë të drejtë, kështu që dolëm me vendim”, tha princi.