Çfarë parashikon Kushtetuta: Pse Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje

VV do të ketë dy javë kohë për të formuar qeverinë, ndryshe Kosova rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje për shkak të përcaktimeve kushtetuese.

Partia që fitoi zgjedhjet ka mandatuar Albin Kurtin si kryeministrin që do të bëjë qeverinë, ndërsa pritet që sot në mesditë të mandatohet edhe nga Presidenti Hashim Thaçi.
Në këtë mënyrë fillon edhe afati detyrues ligjor për formimin e qeverisë.

Partia kyçe për arritjen e marrëveshjes është LDK, e cila pritet të reagojë gjatë ditës.
Në një reagim ekskluziv për Abc News, zëdhënësi i LDK-së Besjan Mustafa theksoi se partia do të dalë me një qendrim zyrtar gjatë ditës së sotme pasi Kurti të marrë mandatin nga Thaçi.

Por, pse Kosova rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje?
Sic shpjegon për abcnews.al Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi me dekretimin e Kurtit sot prej Presidentit Thaçi, nis edhe afati ligjor brenda të cilit lideri i VV do të tregojë nëse i ka apo jo 61 vota në Kuvend.

“Në rast se Kurti nuk ka votat e nevojshme, atëherë kalohen në fazën e dytë ku sipas së njejtës procedurë, por tani në afat prej 10 ditësh duhet të propozohet mandatari tjetër nga e njejta parti, pra nga VV si kryeministër. Nëse, edhe gjatë herës së dytë kandidati i VV nuk arrin të marrë 61 vota, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme”, shpjegon Miftaraj.

Në një reagim sot për qytetarët, Albin Kurti ftoi sërish LDK-në që të ulen edhe të gjejnë një formulë për zgjidhjen e krizës dhe të bashkëqeverisin