“Ç’të duhet tëj? Shëj fcullt tuj!” ose fillimet e një narko-shteti

Genc POLLO

1- POSTBLLOKU AD HOC PËR FSHATARËT, BARINJTË E FAMULLITARËT

“Ç’të duhet tëj? Shëj fcullt tuj!” (në shqipe standarde: Çfarë të duhet ty? Shih fëmijët e tu!) ishte këshilla e nëndrejtorit të Policisë së Shtetit në qarkun Dibër, Robert Aga, kur një qytetar i Peshkopisë, i njohur i tij, i kishte shprehur shqetësimin për parcelat e hashashit të mbjella masivisht në malet përqark nga Maqellara deri në Muhur e Cidhën.

Gjatë javës që shkoi kam qenë përditë në fshatrat e Luznisë, në mbështetje të fushatës së Sherefedin Shehut për kryetar të Bashkisë Dibër dhe shqetësimi i mësipërm m’u rishfaq gjatë bisedave me fshatarët e Hoteshit dhe Lishanit të Poshtëm.

Ata nuk kishin pasur mundësinë, mbase edhe kurajën, për të shkuar në komisariat e për të folur me shefin e Policisë. Edhe halli i tyre nuk ishte dhe aq interesi publik, si në rastin e qytetarit peshkopias, të cilit lipset të mos i shënojmë emrin.

Fshatarët luznakë ankoheshin se këtë vit nuk po mundnin të bënin atë që kishin bërë gjithmonë: të dilnin në mal për të mbledhur çaj e bimë mjekësore, si dhe shkarpa për zjarr. Apo edhe të shkonin më tej për të vizituar miqtë a krushqit e tyre në fshatrat e (ish) komunës Selishtë.

Kush prej tyre kishte tentuar, ishte kthyer mbrapsht pa një e dy nga djem të armatosur (sipas luznakëve ata flisnin dialekt tiranas e vlonjat) që ruanin parcelat me hashash të mbjella në zabelet e Pratit, midis malit të Arapit që ngrihet mbi Luzni dhe atij të Selishtës më në perëndim.

Si deputet i Kuvendit të Republikës supozohet që duhet të kem mjaftueshëm kurajë civile dhe angazhim për interesin publik, sa që një rast të tillë, që më së paku është uzurpim i territorit publik nga grupe të armatosura, duhet ta denoncoja tek autoritetet publike përgjegjëse, d.m.th. te Policia.

Por meqë Partia Demokratike, të cilën përfaqësoj në Kuvend, në fillim të gushtit i kishte denoncuar me emër e mbiemër drejtorin dhe nëndrejtorin e Policisë së Shtetit në Qarkun Dibër, tok me plot të tjerë të ngjashëm në të gjithë vendin, si aksionerë e kujdestarë të kanabisit të mbjellë, m’u duk se gjëja më normale në një situatë e shtet normal do të ishte, në rastin tim, një ushtrim kotësie. Edhe pse, me gjasë, zoti Aga do të ma kursente këshillën për të shikuar «cullt mëj».

Prandaj i ngushëllova fshatarët në Hotesh e Lishan të Poshtëm se problemi i tyre do të zgjidhej, në mos menjëherë, me siguri vitin e ardhshëm, dhe u ula të shkruaj këto radhë. Nuk u tregova që kisha lexuar në gazetë se 15 km më në jug çunat me armë kishin zënë e devijuar burimin e ujit duke lënë fshatarët e zonës pa pirë e pa vaditur.

Në maj të këtij viti, gjatë një takimi me drejtuesit e PD-së në Ballsh, dëgjova nga kryetari i Bashkisë Mallakastër se ai, për të protestuar kundër mbjelljes së hashashit pranë një rezervuari në disa kodra afro gjysmë ore me makinë larg zyrës së tij (e komisariatit të policisë) kishte vajtur atje me policët bashkiakë (të paarmatosur) dhe kishte hasur, në distancë nga parcelat, breshëri kallashnikovi, për fat të mirë në ajër e pa të lënduar.

Drejtori i Policisë, i thirrur menjëherë në ndihmë, i mbylli celularin e pas njoftimit standard, një makinë policie u shfaq pas disa orësh për t’u kthyer të gjithë bashkë në qytet pa trazuar bimët e rojet e tyre. Më tej oficerë të lartë të Policisë e kishin kontaktuar kryebashkiakun me këshillën “Po ti ç’ke? Shih punët e tua”, kësaj radhe në të folmen tepelenase.

E kam rrëfyer tri herë rresht këtë episod në fjalimet e mia në plenaren e Kuvendit, duke devijuar nga rendi i ditës, me shpresë se do të nxisja ndonjë reagim, qoftë edhe vetëm verbal, nga ata që kanë përgjegjësinë e pushtetit.

Deputetët maxhoritarë i pashë duke gogësitur të painteresuar, ndoshta edhe të pafuqishëm. Pas shpinës sime rastisi vetëm një herë ministri i Brendshëm, i cili, siç më thanë më vonë kolegët, kishte folur gjithë kohës në celular.

2016-ta me gjasë do të kujtohet edhe si viti kur për herë të parë në histori u ndërpre transhumanca, e cila dokumentohet në këto troje prej më shumë se dy mijë vjetësh dhe që ka ndodhur çdo vit rregullisht e patrazuar nga luftëra, kryengritje, kaçakë e banditë.

Është fjala për shtegtimin veror të bagëtive, të cilat barinjtë, pasi del dimri e në të hyrë të verës, i çojnë nga fushat e luginat ku dimërohet butë drejt livadheve malore, të tyret gjithnjë, pavarësisht nga qeveria apo sundimtari, që të kullotin e mërzejnë në fresk.

Këtij moti çunat e armatosur të parcelave të hashashit nuk riskuan të lejonin barinj përqark, dëshmitarë të bezdisur, e bagëti aty afër që mund të nduknin pa dashje e për të keqen e tyre gjethet e vyera. Kështu që i kthyen mbrapsht dhe i lanë, bagëti e barinj, në vathët e stallat dimërore të fushës.

Në kafenetë e Peshkopisë dëgjoje dhe versionin gjysmëkonspirativ se moratoriumi për ndalimin e gjuetisë nuk ishte motivuar nga dhembshuria ndaj kafshëve e shpendëve të egër e në rrezik (të përshkruar mjeshtërisht nga Jonathan Franzen në revistën National Geographic), siç na u shpjegua në Kuvend nga përkrahësit e kësaj nisme. Jo! Më thonë me këmbëngulje. Ishte eliminimi i gjuetarëve bredharakë si dëshmitarë të bezdisur. Kësaj radhe, me germën e ligjit e jo me tytën e pushkës.

Përvoja e fshatarëve dhe e barinjve u bë edhe disa famullitarëve në krahinat veriperëndimore të vendit, të cilët, kësaj vere morën rrugën për të mbajtur Meshën e së Dielës në kishën e fshatrave të largët, malorë. Çunat e armatosur në zabelet e Malësisë së Madhe, Dukagjinit e Mirditës, i zmbrapsën edhe ata.

“Fjala e Zotit mund të presë. Kur ne të kemi të mbledhur e paketuar bimën tonë, atëherë edhe ju mund të keni liturgjinë tuaj.” Ishte mesazhi. Cikël interesant në një vend ku gjysmë shekulli më parë shteti me ideologji kriminale ndaloi ushtrimin e fesë e tashti kriminelët me lidhje shtetërore e ndalojnë sërish kur u volit.

2-NORMALIZIMI I SË KEQES SI MURTAJË SHOQËRORE
Dy vjet pas aksionit policor antidrogë në Lazarat, i çuditshëm në llojin e vet për shkak se nuk pati asnjë të lënduar apo të vrarë dhe një numër qesharakisht minimal personash të kallëzuar e të proceduar penalisht, kudo në Shqipëri ku ka tokë të përshtatshme e disi larg syrit të njerëzve lartohet hashashi.

Ai nuk është thjesht i toleruar, por edhe i mbrojtur nga oficerë të lartë të Policisë, të cilët janë ortakë në distancë të këtij operacioni të gjelbër, siç dëshmojnë të dhëna nga opozita, një pjesë e medias, raporte nga agjenci zbulimi vendëse e të huaja dhe plot dëshmitarë direktë.

Efektet sociale po ndihen. Në shoqërinë shqiptare të varfëruar me shpejtësi, shumëkush është turrur të bëjë para të shumtë e të shpejtë. Aty ku, p.sh., tregtari furnizonte rregullisht fshatarët me fare rigoni për mbjellje, tashti nuk ia pranon kush ofertën. “Ka tjetër farë me më shumë leverdi”, i thonë. Fermerët e komunave rreth Beratit, qarkut ku jam zgjedhur deputet, tundnin kokën dikur në shenjë disaprovimi kur përmendej hashashi i Lazaratit.

Për ta ishte një gjë e keqe, e kundërligjshme. Sivjet këto skrupuj kanë rënë. Por edhe aty ku rezistojnë, biri nuk e ndjek më të atin në arë e i përmend me qesëndi se me atë “bimën” tjetër fitohet tridhjetëfish më shumë se sa me misër e domate. Nëse rrënjoset kjo kulturë në shoqëri, nuk di kush do të mund të bëje përpjekjet herkuliane për ta çrrënjosur atë.

3- AKSIONERËT E KUJDESTARËT E HASHASHIT OMNIPREZENT
Pakkush kujtohet tashti se një komision hetimor parlamentar, i nismuar nga PD vitin e parë të kësaj qeverie, zbuloi se shumica e të emëruarve nga pushteti rilindist në poste të larta në Polici ishin persona me të shkuar penale e me ndëshkime administrative të rënda. Më së shumti publiku ka në kujtesë lidhjet e ministrit të Brendshëm me këta policë e me banditë të mirëfilltë të faktuara e të denoncuara rregullisht nga opozita. Lidhje me natyrë farefisnore, krahinore e miqësore.

Qeveria në përgjithësi nuk ka folur për sa më lart. Nën dafinat e venitura të aksionit në Lazarat ka përsëritur refrenin e baltës opozitare dhe ka evituar çdo shpjegim përmbajtësor, qoftë edhe si pohimi qesharak se shqiptarët që u dyndën në masë para një viti drejt Gjermanisë ishin emigrantë në Greqi. Së fundmi, nën presion, po flasin për aksione antidrogë të policisë qendrore, pasi segmente të asaj lokale qenkan komprometuar.

Sërish si dhe më parë shohim aksione në TV me shkulje e djegie të hashashit si rregull në parcelat jashtë proteksionit, ose aty ku është prishur pazari i protektorëve.

Tashti ofrohen edhe koka turku, të vogla kuptohet, si një polic në Kolonjë apo një nëpunës vendor në Mbishkodër. Si dhe spinime përmes tweet, ku ministri pozon me gazetarë të huaj (vini re: role të përmbysura!) para ndonjë kaçube në zjarr e pas policëve me kallash. Spinime si fija e kashtës për të shpëtuar përmes legjitimimit nga jashtë.

4- EYE IN THE SKY NGA ITALIA
Ndërkohë, në fillim të shtatorit pritet prezantimi, fillimisht te ndërkombëtarët, i raportit të Policisë italiane nga vëzhgimi ajror për kanabisin në Shqipëri. Kjo asistencë italiane e dhënë prej vitesh u refuzua nga qeveria Rama dhe rifilloi vetëm pas insistimit të opozitës në Tiranë e Romë (L. Basha takoi apostafat këtë maj në Romë qeveritarë e parlamentarë me lutjen për nisjen sa më shpejt të operacioni).

Megjithatë, me rezistencën e atij që ka diçka për të fshehur, qeveria lejoi vëzhgimin ajror të vetëm 18% të sipërfaqes potenciale. Por edhe me kaq burimet e informuara mbi raportin flasin për “tapetto verde”.

Do të ishte ndihmë e madhe sikur ky raport të mos varrosej në sirtarët e qeverisë, por t’i dorëzohej edhe Kuvendit e Presidentit, situata e emergjencës kombëtare faktike e justifikon plotësisht, dhe të bëhej objekt i debatit publik. Kështu, me gjasë, do të kishim ndërgjegjësim më të madh e shpresoj edhe reagim më të fortë.

5- MODELET LATINO-AMERIKANE TË NARKO-SHTETIT DHE SELIA NË DALJE TË PESHKOPISË
Duke lexuar për narko-shtetet në Amerikën Latine dallojmë modelin meksikan, ku kartelet e kokainës herë “e gjejnë gjuhën” me pushtetarët e me oficerët e policisë/ushtrisë dhe kur qeveria ndërron e fillon luftën ndaj tyre, ndodh dhunë me mizori ekstreme.

Tjetër model është ai i Panamasë nën Manuel Noriegën, ku vetë qeveria ishte karteli unik. Lexuesi le ta gjejë vetë se sa afër njërit a tjetrit model po pozicionohet vendi ynë. Një detaj tjetër nga fushata zgjedhore që përmenda në hyrje të këtij shkrimi mund ta ndihmojë. Në Peshkopi nuk kandidon thjesht M. Rama i PS.

Prapa e krahas tij, e gjithnjë e më shumë para tij, kandidon një bandë kriminale e organizuar me në krye ish-burgaxhinj të sprovuar që kanë marrë hua vulën dhe emblemën (edhe kjo e fundit me gjethe!) e një partie të koalicionit qeveritar dhe janë stacionuar në dalje të qytetit.

Aty mbledhin të fortët e zonës që i dërgojnë lart e poshtë për të trembur dynjanë, aty vendosin për emërime bashkiake pa din e iman (kanë bërë afro 200 syresh), aty shpërndajnë zarfe me para në këmbim të premtimit të votës dhe aty ftojnë kolegët ishburgaxhinj nga anembanë vendit, të cilët i shëtisin mandej në bulevard.

Aty mblidhen pa merak për t’u fshehur edhe aksionerët e kujdestarët pa uniformë të parcelave nga Maqellara deri në Muhur e Cidhën. Me synimin e qartë të marrin e të kontrollojnë (edhe) Bashkinë e Dibrës. *Autori është deputet i Partisë Demokratike.

Shkrim i publikuar nw 1 Shattor 2016