Maltezi denoncon aferën skandaloze të OSHEE: 1.03 miliardë lekë për imazhin e Veliajt e Ramës

Anëtari i Kryesisë së PD, Jamarbër Malltezi, ka denoncuar pagesat e bëra nga OSHEE, për biznesmenë dhe artistë, miq të kryeministrit.

Në listën e pagesave figuron piktori Anri Sala, mik i ngushtë i Edi Ramës, i cili është paguar nga kompania e energjisë elektrike me 51 milionë lekë dhe kulmin e absurdit e shënon, përfituesja e 52 milionë lekëve (te reja), kompania ‘Dixhi Print.al’ për një shërbim shumë ‘energjitik’: Imazhin e Ramës dhe Veliajt!!!

‘Hani derra – pini derra! Se për çfarë duhet që OSHEE të paguajë nga 500,000 dollarë këta që i bëjnë furça dhe fërkojnë Edin, nuk arrij dot ta kuptoj! – shkruan Malltezi në Fb.

Ndofta është shumë e thellë dhe nuk e kuptojnë të gjithë. A ka ndonje SPAK apo po takohen me Tualetin dhe Ulusiun?!- ka shigjetuar Malltezi, organet e reja të Drejtësisë, për neglizhencën që po tregon ndaj fakteve të denoncuara sot publikisht nga PD-ja.
Paradite, PD deklaroi se “në vitin e gropës së madhe financiare kompania, që mbahet nga faturat e shtrenjta të energjisë dhe paratë e shqiptarëve, ka bërë edhe më të pasur kryebashkiakët ilegjitimë Safet Gjicin e Kukësit, Pjerin Ndreun e Lezhës, Agim Kajmakun e Vorës, Ilir Beqjen e kudogjendur.

Përfitues të miliona eurove në mënyrë të përsëritur nga partia e babëzisë janë miqtë dhe klientët e Edi Ramës, Papuli, Kastrati, Fusha, Gentian Sula i koncesionit të pompave të naftës, Anri Sala i ekspozitave të Edi Ramës apo kompania që merret me imazhin propagandistik të Ramës dhe Veliajt, DixhiPrint Al.

Nga gropa e korrupsionit të OSHEE-së ka përfituar edhe vëllai i trafikantit ndërkombëtar të drogës Klement Balili. Në vend që të hetohej sipas ligjit antimafia për pasuritë e tij, Bashkim Balili merr tendera nga qeveria e Edi Ramës.

Vetëm në një vit, klientët e kryeministrit të partisë së babëzisë kanë zhvatur nga kompania që ka dalë me humbje, rreth 11.4 milionë euro duke dhënë makina me qera, duke shitur lule, karburant, policë privatë dhe propagandë.”