Ballina Aktualitet Zbardhet dënimi me burg i kryebashkiakut të Ramës…

Zbardhet dënimi me burg i kryebashkiakut të Ramës…

Zbardhet vendimi i dënimit të kryebashkiakut të Matit Agron Malaj. Në vendimin e gjykatës të publikuar nga PD, saktësohet se Malaj, më 7 Shtator 1999, është dënuar me 10 muaj burgim për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Partia Demokratike deklaron se dënimi i Malajt, sipas ligjit të dekriminalizimit, përben arsye që ai të shkarkohet nga kjo detyrë, edhe pse KQZ ka lejuar kandidimin e tij.

Ngjarja

Në vendimin e gjykatës, janë zbardhur dhe rrethanat e ngjarjes:

Më 29.3.1999 rreth orës 11, i pandehuri Agron Malaj pasi është takuar me Elton Daçin i ka propozuar të shkonin për t’u qethur tek lokali i berberit, dëshmitarit Kastriot Kola. Kur kanë mbërritur tek dera e lokalit kanë parë që po dilte i dëmtuari Bashkim Bushati me të cilin para disa ditësh ishin ngatërruar për problemin e marrjes dhe dëmtimit të një motoçiklete nga ana e të pandehurve, por që më pas e kishin likuiduar të dëmtuarin, për dëmin e shkaktuar duke e konsideruar këtë ndodhi si të mbyllur.

Tek dera e lokalit, i pandehuri Agron dhe i dëmtuari, Bashkim, kanë shkëmbyer replika midis tyre duke shprehur pakënaqësi dhe indinjate tek i pandehuri Agron Malaj në lidhje me insistimin e të dëmtuarit për likuidimin në lekë të motoçikletës nga familja e të pandehurit Elton Daçi.

Ngjarja menjëherë ka evoluar në grindje dhe i pandehuri, Agron, duke parë disa lëvizje të dyshimta të bëra nga i dëmtuari Bashkim, në një distancë rreth 2 m ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në këmbë të dëmtuarin Bashkim Bushati.

Si pasojë është plagosur në brendësi të lokalit edhe dëshmitari Atlin, i cili nuk ka paraqitur ankim.

Në këtë moment, ka qëlluar në ajër edhe i pandehuri Elton Daçi me qëllim që te mos kishte kundërveprim nga persona të tjerë dhe duke qëlluar në ajër është larguar së bashku me Agron Malaj me shpejtësi nga vendngjarja.

Si ra akuza për plagosje

Fillimisht, Malaj u akuzua dhe për plagosje të lehtë, por akuza ra pas dëshmisë së të lënduarit.
Në vendim saktësohet se: U provua se në bazë të Akt dëshimisë Mjekoligjore Nr 9, datë 2.7.1999 mbi ekzaminimin e shtetasit Bashkim Bushati janë konstatuar plagë në kofshën e djathtë dhe pjesën e brendshme të kofshës së majtë të cilat janë shkaktuar me armë zjarri dhe se këtë dëmtimë hyjnë në kategorinë e plagosjes së lehtë. Edhe tek i dëmtuari Altin Gjoni në bazë të akt dhëshmisë mjekoligjore, datë 2.7.1999 janë konstatuar plagë të shkaktuara me armë zjarri që hyjnë në kategorinë e plagosjeve të lëhta.

Gjykata ka çmuar se të pandehurit Agron Malaj dhe Elton Daçi kanë konsumuar tërësisht elementet e anës objektivë e subjektivë të plagosjes së lehtë me dashje e kryer në bashkëpunim ndaj Bashkim Bushatit dhe mbajtjes pa leje të armëve të parashikuara nga nenet 89,25 e 278/2 te Kodit Penal. Por, në seancën gjyqësore, vetë i dëmtuari Bashkim Bushati hoqi dorë nga ankim në lidhje me plagosjen e lehtë me dashje, të bërë nga të pandehurit, Agron dhe Elton, gjë që e ka kërkuar me kërkesën e tij me shkrim të datës 3.6.1999 e administruar në dosje.

Në këto kushte, në gjykim nga organi i prokurorisë në bazë të nenit 284 te Kodit Procedurës Penale u kërkua pushimi i gjykimit të çështjes ndaj të pandehurit Agron Malaj e Elton Daçi për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje, kryer në bashkëpunim në dëm të Bashkim Bushatit.

Në fund, gjykata vendosi ndaj Malajt dënimin me 10 muaj burgim, në përputhje me kërkesën e prokurorit. Për shkak se nuk ka pasur ankim, vendimi ka marrë formë të prerë.

Exit mobile version