Basha: Kjo nuk është betejë për karrige. Do të jetë fitore vetëm kur të ketë zgjedhje të lira e të ndershme

Kjo betejë nuk bëhet as për karriket tona, as për fatet tona politike. Mandatet tona i dogjëm, pikërisht për t’i treguar botës mbarë se këtu demokracia ishte ne grahmat e fundit. Sakrifica e mandateve të djegura, moslegjitimi i farsës së 30 qershorit solli atë që çdokush mund ta konsideronte të pamundur para këtyre vendime – vetëdijësimin e perëndimit se Shqipëria edhe një herë ka nevojë për vëmendje dhe ndihmë për të ndaluar rënien në një autokraci kriminale dhe për t’u rikthyer shqiptarëve mundësitë, liririnë për të vendosur me votë për të jetuar dhe punuar me nder në vendin e tyre të çliruar nga totalitarizmi, autokracia dhe kriminaliteti në çfarëdo forme dhe mënyre të rikthehen ato.

Të mos keni asnjë dyshim, ky është vetëm fillimi i një beteje, e cila do të konsiderohet e fituar vetëm atëherë, kur ne të kemi një proces zgjedhor, që do të sjellë një parlament dhe një qeveri të dalë nga vullneti i qytetarëve me instrumente të mjaftueshme kontrolli dhe balance, që do të garantojnë një herë e përgjithmonë fundin e akteve të turpshme që kemi parë në këto vite 7 vite – që nga dhunimi i të drejtave themelore të njeriut, shkatërrimi i pronës, vënia e institucioneve në dispozicion të kriminelëve dhe oligarkëve, shtypja pa mëshirë e qytetarëve të thjeshtë, plaçkitja e tyre, qoftë me taksa të rritura, me çmime të rritura të naftës, të energjisë, shtyrja drejt emigracionit, dëshpërimit, deri vetëvrasjes, e mijëra bashkëatdhetarëve tanë, monopolizimi i arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, vrasja e konkurencës, që janë produktet e vetme të qeverisë së dështuar në Edi Ramës.

Për opozitën, objektivi politik është i qartë, largimi i një orë e më parë e kësaj qeverie përmes zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe të ndershme, të cilave do t’u paraprijë një reformë zgjedhore sipas standardeve të diktuara nga OSBE/ODIHR.

Në 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman, pas konstatimit të qartë të krizës politike të rëndë që ka pllakosur në Shqipëri, kushti i parë është miratimi i Reformës Zgjedhore.

Dua ta them qartë për këdo që ndoshta me të vertetë nuk e ka kuptuar, se ky është i vetmi kusht ku opozita ka një rol për të luajtur dhe e ka luajtur këtë rol me vetëdije të plotë dhe në shërbim të një dhe një interesi të vetëm, interesit të qytetarëve shqiptarë.

Po të ishte për interesa politike meskine, po të ishte për ekuacione pushtetesh e karrikesh, kishte dhjetëra rrugë të tjera të cilat ne i kemi refuzuar dhe do t’i refuzojmë me përbuzje.

Beteja jonë është që ju, qytetarët shqiptarë, të vendosni me votën tuaj, parlamentin e ardhshëm, qeverinë e ardhshme, kryebashkiakët e ardhshëm një orë e më parë. Kurrë nuk ka qenë më e madhe nevoja, kurrë nuk ka qenë më ulëritëse kërkesa për ndryshim.