Haradinaj: S’e kuptoj përse Edi Rama është nervoz ose…

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj tha në një intervistë për SYRI TV se nuk e kupton pse Edi Rama bëhet nervoz dhe fyen.

“Tani është vështirë me hy në thelb të asaj se përse kryeministri Edi Rama është nervoz ose përdor një fjalor edhe fyes ndoshta, po është me rëndësi me shpjegu se Kosova ka një politikë bilaterale me Serbinë, pra konteksti është mosnjohja, dhe ne e kemi një ofertë për Serbinë për njohje, në kundërvlerë të saj edhe heqjen e taksës. Ideja e Mini-Shengenit, pra qarkullimi i lirë i mallrave pa pengesa do të nënkuptonte edhe heqjen e taksës”, tha Haradinaj.

Më tej ai lëshoi një ‘thumb’, kur tha se, AAK do të kalojë në opozitë, pasi i ka dhënë demokracisë një ndihmë duke mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Përgjegjësinë për krijimin e institucioneve e ka fituesi i zgjedhjeve, pra Vetëvendosja. Ne i kemi dhënë të gjitha përkrahjen demokracisë me shpalljen e zgjedhjeve, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të rregullta, tani varemi nga fituesi i zgjedhjeve, a do ta gjejnë formulën për të krijuar qeverinë. Jemi parti politike opozitare si AAK, do ushtrojmë funksionet tona opozitare. Nuk flasim për numra, flasim për kauzë. Nuk e kemi kauzë pjesëmarrjen në qeverinë ‘Kurti’”, tha Haradinaj.

Ai tha se, nga vendosja e taksës ndaj Serbisë, ka përfituar Shqipëria e cila ka rritur eksportet me Kosovën. Haradinaj tha se, duhet hequr taksa e Rrugës së Kombit.