Avokati i Popullit padi ndaj Ardian Dvoranit, ja çfarë shkeljesh janë denoncuar

Pas presidencës edhe Avokati i Popullit ka paditur kreun e Këshillit të Emërimeve në KED Ardian Dvorani, pasi kundërshton mënyrën sesi ka vepruar institucioni që ai drejton për listat e vakancave për në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.

Në ditën e fundit të vitit 2019, në 31 Dhjetor, Gjykata Administrative e Apelit ka regjistruar padinë e Avokatit të Popullit, kundër Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Objekti i padisë është shfuqizimi i neneve të caktuar në disa vendime të KED-së, që lidhen me procedurat e shqyrtimit, diskutimit dhe dërgimit të listave drejt institucioneve të emërtesës për vendet vakante në Kushtetuese dhe për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Gjykata Administrative e Apelit njofton se e ka regjistruar çështjen dhe shorti për shqyrtimin e saj ka përzgjedhur gjyqtaren Enkelejda Softa (Metaliaj).

Momenti më i rëndësishëm në padinë e Avokatit të Popullit është kërkesa për shfuqizimin e pikës 80 të Vendimit nr.5 datë 2.04.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi “Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykaten Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”.