Ankesa e Vidal për shpërblimet, reagon Barça…

Drejtuesit e Barcelonës janë të bindur se personi përgjegjës për konfliktin e krijuar nga ankesa për mospagim të paraqitur nga Vidal dhe i refuzuar nga komisioni i përbashkët AFE-LFP, nuk është lojtari por agjenti i tij, Fernando Felicevich.

Një lëvizje kjo, sipas të gjitha gjasave, për të provokuar “divorcin” e Arturo Vidalit me klubin katalan në këtë merkato dimërore.

Duhet theksuar që Komisioni i Përbashkët AFE-Liga, pasi ka analizuar faktet, nuk ka pranuar kërkesën prej 2.4 milionë eurosh nga Arturo Vidal si shpërblime nga sezoni i kaluar. Mesfushori kilian ka mundësinë të shkojë në gjykatat e zakonshme.

Barcelona ka qenë gjithmonë e qetë për këtë rast, që kur u zbulua nga mediet. Barça argumentoi se Vidal nuk kishte arritur 45 minuta në 60% të lojërave të luajtura, por 51.66%. Ankimin e konsideron një manovër e qartë për të shtyrë largimin e tij, pasi menaxheri i futbollistit synon të përfitojë një shumë të majme parash si komision nga shitja e tij e mundshme tek Interi.

Barcelona pohoi se nuk i detyrohet qoftë një euro kilianit dhe se pretendimet e tij janë rezultat i një keqinterpretimi të klauzolave të shumta që ekzistojnë në kontratën që ai nënshkroi me klubin gjatës verës së vitit 2018.