Socialistët votuan për shkarkimin, deklarata e fortë e Arben Malajt: Ky është gjyqi i atyre që…

Komisioni i Ekonomisë miratoi sot propozimin e maxhorancës për shkarkimin e Arben Malajt nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

12 anëtarë të Komisionit të Ekonomisë kanë votuar pro shkarkimit të Malajt, ndërsa 5 të tjerë kundër.

Pas këtij vendimi, i mbetet Seancës Plenare në Parlament që të votojë ose jo për shkarkimin përfundimtar të tij.

Seanca dëgjimore u shoqërua me akuza të forta të Malajt, i cili iu drejtua kreut të Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj se ai i kishte mësuar si të ishte i dobishëm në vitin 1997.

Sipas Malajt Komisioni i Ekonomisë nuk ishte profesional dhe ka ngërç institucional në lidhje me shkarkimin e tij pasi ky shkarkim është iniciuar nga vetë kryeministri Rama.

Ndër të tjera, Malaj tha se do ta dërgonte çështjen në Gjykatën e Strasburgut edhe pse nuk donte asnjë qindarkë nga shteti shqiptar, ndërkohë që dha edhe një mesazh për deputetët e PS.

Gjatë përmbylljes së fjalës së tij në Komisionin e Ekonomisë për shkarkimin e tij Malaj tha se deputetët socialistë nuk po guxonin të thonin asgjë në atë komision dhe qëndronin kokulur përballë tij .

Malaj tha se ky ishte gjyqi i solidaritetit socialist dhe jo i tij.

Me ton ironik Malaj përcolli falënderime për të gjithë sidomos për kryetarin e Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetajt të cilit i kujtoi për të disatën herë se kishte investuar për të që të bëhej i dobishëm për Shqipërinë.

Malaj kërkoi që të shtyhet vendimi që duhet të marrë Komisioni i Ekonomisë pasi nuk është sjellë asnjë dokument mbi të cilin do të votohet.

“Duhet të dokumentohet kërkesa tërësisht ligjore që në rastin kur shqyrtohet një inisiativë ligjore propozuesi duhet të jetë në tavolinën e mbledhjes së Komisionit për t’iu përgjigjur pyetjeve të personit ndaj të cilit ka dalë akti ligjor. Kjo duhet të shprehet dhe të dokumentohet si kërkesë dhe e dyta mendoj dhe vlerësoj se vazhdimi i mbledhjes në votë pa na garantuar ju si Komisioni Parlamentar i Kuvendit që keni detyrimin kushtetues të mbroni paanësinë reale të bankës së Shqipërisë, dokumentacionin bazik të qeverisë mbledhja të shtyhet për një kohë të dytë. Nuk mund të merret një vendim në mungesë të dokumentacionit të plotë.

E para ka një pyetje që duhet të protokollohet. E bën avokati im por që ju e penguat. Cilat janë provat që keni administruar përveç shkresës për të bërë këtë gjykim që është për një anëtar të një institucioni kushtetues.

E dyta dëshiroj të falënderoj nga zemra solidaritetin socialist, i shikoj në sy të gjithë deputetët socialist, më vjen keq që nuk kanë kurajo të bëjnë pyetje sikur dhe të flasin e të thonë çfarë të dëshirojnë, gjysmat rrinë kokulur e gjysmat shikojnë sms-të por ky nuk është gjyqi im, ky është gjyqi juaj, ky është gjyqi i pushtetit që kërkon gjithë pushtetet.

Ky është gjyqi i atyre që duan të shtrijnë duart në gjithë institucionet kushtetuese të vendit, kjo është krenaria ime përballë jush, i kam shërbyer vendit tim dhe do i shërbej gjithë jetën me dashuri maksimale dhe përkushtim maksimal me mendje dhe jo me atë që ju meritoni por që nuk do ua them këtu por në seancë.

Ju e meritoni që këtu të bie grupin e Vlorës dhe tu këndojë ballë përballë poezinë e Ali Asllanit por nuk po e bëj këtu por do e bëj në seancë. Faleminderit prej jush dhe nuk kam asnjë zhgënjim nga ju sidomos nga ju zoti Ahmetaj që kam investuar shumë që të bëheshit i dobishëm për vendin tënd por ti duket se je pjesë e të njëjtës strategji”, përmbylli fjalën e tij Malaj.