Ku ishe ti gazetar

Nga Luçiano BOÇI

Paketa anti-shpifje e Ramës ka nxitur reagimin më të fortë gazetaresk të ndodhur ndonjëherë, të post ‘90.

Duket se media në Shqipëri është zgjuar dhe gazetarët janë të vendosur për të mos pranuar ekzekutimin e fjalës së lirë nën justifikimin e një dinjiteti abstrakt të nëpërkëmbur, nga një pushtet që çdo ditë po rrëshqet drejt një regjimi autokratik.

Precedenti duket që është i rrallë dhe një kundërvënie e tillë pushtet ekzekutiv-media, normalisht në çdo vend demokratik do të sillte disfatën e sigurt të qeverisë.

Por pavarësisht debatit të shtrirë në kohë, duket që Rama nuk lëviz nga pozicioni i tij dhe as nuk e mendon që në këtë përballje ai të humbasë.

Thënë ndryshe Rama dhe pushteti i tij nuk kanë aq frikë nga gazetarët.

Këtë e dëshmojnë dhe raportet ndërkombëtare për lirinë e medias të përkeqësuar ndjeshëm.

Arsyet e guximit të tij për të sulmuar hapur mediat online, janë të disata dhe lëvizja e tij finale nuk ishte një rrufe në qiell të pastër.

Ky hap ligjor antikushtetues i tij vjen jo më kot tani. Vjen pikërisht në këtë moment kur ai prej kohësh ka futur nën sqetull mediumet më të mëdha mediatike në vend, shkalla e implikimit ekonomik të cilave është sipërore dhe kur po e kupton që zhvillimi teknologjik po zhvendos informacionin dhe formimin e opinionit drejt komunikimit elektronik.

Në këtë terren fajkojtë e tij propagandistikë kërkojnë të diktojnë deformimin e lajmit në ekranet më të shikuara, brenda të cilave nuk mungon njëkohësisht pasioni i shfrenuar i atyre që nën zhgunin e gazetarit, i hedhin akoma më shumë benzinë zjarrit të propagandës që prodhohet në zyrat e agjitpropit kryeministror.

Përpos kësaj, me lojërat e tij të interesave, Rama ka kontaminuar ambientin gazetaresk, i cili dukshëm është i përçarë, për shkak të zhvendosjes së monopolit të zërit, sipas formulës zëri më i fuqishëm në opinionin gazetaresk është i atij që qëndron më afër pushtetit.

Kjo ka bërë që opinionet e pjesës absolute të gazetarëve, lufta ndaj gazetarëve “të zakonshëm”, që dalin nga rreshti, apo kërkesat e tyre deri për të mos “punuar në të zezë”, të anashkalohen me cinizëm ose me një mirëpranim të gjendjes për hir të detantes me drejtimin politik.

Ndërkohë interesat e gazetarëve, të shpërndara në disa shoqata, nuk i mbron askush dhe “revolta” e sotme e disa prej drejtuesve të tyre, ka ngjyrat e së pabesueshmes.

Shoqatat kanë harruar me dashje të kërkojnë statusin e munguar të gazetarit.

Afilimi i tyre politik ka rrëzuar peshën e fjalës dhe paqa prej kohësh me qeverinë i ka larguar ndjeshëm nga fjala e vetë gazetarëve që shpesh me kurajon e tyre dhe profesionalizmin për të thënë të vërtetën, kanë tejkaluar dhe qëndrimet e shoqatave, por dhe të vijës editoriale të mediave ku ishin të punësuar.

Një gjendje e tillë ka vërtetuar thënien e Zogajt që në Shqipëri ka gazetarë të lirë, por jo media të lira.

Gazetarë që vërtetë kanë prodhuar lajm, informimin, qëndrime realiste e analiza perfekte, duke i dhënë emër mediave të cilave i kanë shërbyer dhe duke i shërbyer me devocion publikut.

Por kjo liri e gazetarëve dukshëm mbetet kaotike, fluide, e përçarë, e çorganizuar, e autocensuruar, shpesh e anatemuar si opozitë politike, brenda vetë klasës së gazetarëve, duke qenë thjesht qytetare dhe profesionale. Në shumë raste kjo liri ka heshtur, ose është deformuar për të mos thënë që është keqpërdorur.

E në këtë situatë komplekse, marshimi i Ramës drejt hegjemonisë së censurës dhe hakmarrjes ndaj portaleve e mediave armike, nuk është aspak rastësi.

I mbështetur apo i patrazuar Rama nuk udhëtoi i vetëm drejt këtij absurdi. Ai ka kohë që e çan një brazdë të tillë.

Krahas të tjerave, qëllimeve politike, arrivizmit personal, babëzisë ekonomike pushtetare, ai pati aleat në këtë rrugëtim njëlloj konformizmi gazetaresk të diktuar nga bajraktarizmi i interesave, e shoqëruar kjo me një lloj fashino-je të rremë, të mbjellë nga tifozët politikë, për një njeri që vinte në krye të shtetit nga bota e gazetarisë.

Dhe gazetarët në përgjithësi nëpërmjet shoqatave, pasi në raste të veçanta ka pasur reagime, për shkak të këtij konformizmi, munguan me zërin e tyre kur Rama me zarët e tij godisnin gazetarë të veçantë, duke i detyruar të largoheshin nga vendi i punës ose dhe nga Shqipëria, sepse kishin prekur emocionalisht të parin e vendit, duke thënë të vërtetat e hidhura. Publicus, Tota, Xhaja, Telnisi etj, nuk mund të trajtoheshin si “marrëdhënie personale”.

Nuk demaskuan nismat e Ramës për ndryshimet anti KE në ligjin për median dhe kapjen e AMA-s e as qokat e tij me rrjetet frekuencore.
Munguan në solidaritet, kur Bejtja bënte thirrje për bojkot ndaj kryeministrit.

Heshtën kur mbylleshin programe e priteshin kontrata me të padëshiruarit si Krasta apo Rakipi e të tjerë të dukshëm apo të padukshëm.

Nuk antemuan në kor dhunën verbale e gjuhën e tij të papranueshme ndaj Pekës, Zhejit, Ambrozias apo Zykajt

U përçanë midis tyre kur qesëndiste me epitete banale gazetarinë e gazetarët kritikë.

Nuk e ngritën aq shumë zërin kur Rama mbyllte media online si Kryeministri.al apo Hashtag, vendimet ndaj të cilave i hapën rrugë Ramës që të godiste më pas Brrylin, JOQ, Dosjen, dhe që nuk e pengojnë atë të mbyllë akoma të tjerë që ndershmërisht kritikojnë e transmetojnë të vërtetën.

Kësisoj Rama nuk kishte më pengesa për të pjellë këto ndryshime lufte ndaj fjalës së lirë.

Prishja sot e këtij konformizmi përbën lajmin më të mirë për gazetarinë dhe lajmin më të keq për Ramën. Por kjo nuk besoj se mjafton.

Beteja e gazetarisë me pushtetin duhet të jetë më frontale dhe suksesi sikur të ndodhë nuk mund të përmbyllet në tërheqjen e Ramës ndaj këtyre ndryshimeve, pasi censura do mbetet edhe jashtë këtij ligji.

Gazetarinë sot duhet ta shpëtojnë vetë gazetarët. Demokracinë nuk e mbron thjesht vetëm politika, por më së shumti media. Përndryshe gjithkush nesër do të pyesë: Ku ishe ti gazetar?!