Pse rinia po braktis masivisht vendin

Gjatë vitit të kaluar, 38.703 shqiptarë e lanë vendin për të emigruar jashtë kufijve. Situata është serioze, thonë ekspertët, njëri prej të cilëve, sociologu Gëzim Tushi flet për një emigracion `të vonuar` siç e quan ai, që ndryshon nga largimet masive të viteve ’90 për nga përmasat, nga motivimet, arsyet, shkaqet, ose struktura sociale e atyre që e marrin këtë vendim.

Njerëzit, nga sa thotë sociologu, janë të lodhur nga pritja e vazhdueshme për zbatimin e reformave në ekonomi, politikë, arsim dhe shëndetësi. Ai shton se një pjesë e mirë e tyre janë elitarë nga pikëpamja profesionale dhe kjo është shqetësuese.

Po ikën elita e vendit, “truri”, largimi i të rinjve, profesionistëve siç janë inxhinierët, mjekët, punonjës të IT-së, infermierë, mësues, të cilët kur largohen nga vendi, krijojnë vakuume që nuk mund të plotësohen kollaj.

Shqipëria në sytë e rinisë së sotme është një vend i pashpresë. Në Shqipëri ka një papunësi të lartë, por ajo që vërehet gjatë viteve të fundit është rrëshqitja e vendit drejt një diktature, ku kemi vetëm një parti-shtet që kontrollon të gjithë institucionet, ndërsa opozita është detyruar që të braktisë institucionet që kanë dalë jashtë binarëve të shtetit të së drejtës.

Eshtë koha kur nga struktura të pushtetit ka nisur një represion ndaj të gjithë atyre mbështetësve të opozitës dhe PD në veçanti. Janë të shumtë rastet kur të rinj të gjendur në represionin politik të Partisë-shtet detyrohen të largohen nga vendi dhe të kërkojën azil politik në vene të ndryshme.

Rasti i të riut Eltion Patushit është një prej tyre që në këto kushte të vështira është detyruar të largohet nga vendi. Rinia ka humbur shpresën dhe për më shumë ka humbur besimin se vendi mund të kthehet në shinat demokratike. Sa kohë nuk ka një ndryshim të fortë, vendi do të vijojë të boshatiset nga rinia.

Arben KONDI