Ballina Politikë “Profesori” është prekur pse nuk solidarizohemi me palaçollëkun e kryeministrit”, reagimi i...

“Profesori” është prekur pse nuk solidarizohemi me palaçollëkun e kryeministrit”, reagimi i ish-Presidentit

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka replikuar sot në distancë me ish-ministrin socialist Ethem Ruka, pasi ky i fundit ishte shprehur me indinjatë kundër tij pse Nishani e kishte konsideruar “idiot”, Kryeministrin Edi Rama dje.

Nishani iu kundërpërgjigj sot Rukës, duke argumentuar dhe deklaratën e tij të fortë dje, ku thoshte: “dikush t’i tregojë idiotit kryeministër, që kërcënon se do të mbyllë mediat, pasi na paska shpallur Gjëndjen e Jashtëzakonshme!Qeveria nuk shpall dot Gjëndje të Jashtëzakonëshme!”

Reagimi i plotë i ish-Presidentit Nishani

Et’hem Ruka që mban dhe titullin “Profesor” qënka revoltuar e më është kundërvënë pse i kam thënë një njeriu të papërgjegjshëm deri në ekstrem “idiot”!

Ky profesor që merr përsipër të arsimojë rininë tonë nuk i bën përshtypje dhe i duket normale që kryeministri i një vendi del në publik e deklaron se “unë kam shpallur Gjëndjen e Jashtëzakonshme dhe me këtë do mund të mbyll ekranet e median”.

Këtij profesori i duket normale që kryeministri në vend të nxjerrë trupat e shqiptarëve nga rrënojat, i jep vetes kompetencat e sulltanit, që nuk Ia njeh asnjë ligj e as Kushtetuta e këtij vendi.

Këtij profesori i duket normale që kryeministri, në vend të strehojë fëmijët dhe pleqtë që janë në mes të shiut e të ftohtit, del e shantazhon median që informon publikun.

Këtij profesori i duket normale që kryeministri, në vend t’u japë një supë të ngrohtë e një gotë çaj shqiptarëve që gdhihen jashtë, kërcënon mediat që denoncojnë vjedhjet edhe të batanijeve të nevojtarëve.

“Profesori” është prekur pse nuk solidarizohemi me palaçollëkun e kryeministrit dhe jo me hallet dhe të vërtetat e qytetarëve nën rrënoja.

Halli i profesorit është se mos na zbulohen paudhësitë dhe gënjeshtrat e kryeministrit dhe jo si të mbulohen shqiptarët nën qiellin e hapur. Për fat, duhet ta kuptojmë pse mafia vazhdon e mban të uzurpuar pushtetin.

Propaganda e shpifur që fshehu dhe injoroi dëmet e tërmetit të parë, i çoi në varr 49 shqiptarë të mirë. Dhe ne rrimë e gjykojmë ata të mjerët që shesin votën për një thes miell!

Exit mobile version