Ballina Aktualitet Durrësi një qytet fantazmë/ Basha për Al Jazeera: “Shumë analizë duhet bërë,...

Durrësi një qytet fantazmë/ Basha për Al Jazeera: “Shumë analizë duhet bërë, në nivel shoqëror dhe ligjor”

Rrjeti i njohur, Al Jazeera në një reportazh nga Shqipëria, shkruan se, qyteti i Durrësit është braktisur nga banorët pas tërmetit që vrau dhjetëra persona.

“Paslëkundjet e vazhdueshme kanë terrorizuar qytetin me 200 mijë banorë, që është kthyer në një qytet fantazmë”, raporton Al Jazeera.

“Gjysma e qytetit është evakuuar tashmë. Njerëzit janë terrorizuar. Qindra janë shtruar në spital dhe qindra familje kanë humbur shtëpitë e tyre”, thotë për Al Jazeera, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, teksa viziton Durrësin.

Qeveria po inspekton ndërtesat, por ky proces do të zgjasë për javë të tëra.

Al Jazeera thotë se, përveç Durrësit, të prekura janë edhe godinat në Tiranë.

“Është e qartë se disa nga këto ndërtime ishin totalisht jashtë standardeve të sigurisë,” tha presidenti Ilir Meta për rrjetin Al Jazeera. Ai tha se duhet bërë një hetim.

Shumica e dëmeve në Durrës u bënë aty ku pritej më pak, në Rrugën Pavarësia, e mbushur me hotele të reja dhe luksoze dhe blloqe apartamentesh, raporton rrjeti gjigand.

Disa dukej se nuk kishin themele të përshtatshme. Hoteli Villa Verde u gjunjëzua në plazhin ku ishte ndërtuar, ndërsa u përkul përpara detit.

“Gjysma e ndërtimeve në Shqipëri janë relativisht të reja, 15, 20 apo maksimumi 25-vjeçare. Shumë prej tyre janë kritikuar për cilësinë e dobët të ndërtimeve. Shumë analizë duhet bërë, në nivel shoqëror dhe ligjor”, thotë Lulzim Basha.

Exit mobile version