Mitrovicasi shpërthen në lot derisa tregon që strehon në shtëpinë e tij 6 familje nga Shqipëria

Të prekur thellësisht nga tërmeti që ka goditur Shqipërinë, janë edhe të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët qysh nga mëngjesi i së martës kanë organizuar iniciativa të shumta për të ndihmuar popullin shqiptar.

Me të holla, ushqim e veshmbathje ishte kontributi i shumë kosovarëve. Pos kësaj, shumë kryefamiljarë nga Kosova, hapën dyert e shtëpive të tyre për familjet që mbetën pa kulm mbi kokë.

Në mesin e tyre është edhe qytetari nga Mitrovica, Gani Gërxhaliu. I ftuar në emisionin #gjesi, ai tregoi se në shtëpinë e tij do të mirëpresë gjithsej 6 familje nga Shqipëria, të cilat do të mbërrijnë në Mitrovicë gjatë ditës së sotme.

“E kam siguruar hapësirën për akomodim, ushqimin, veshmbathjen e gjithçka për vëllezërit nga Shqipëria”. Ai në studio nuk i mbajti lotët derisa kujtoi ndihmën që Shqipëria ia pati bërë popullit kosovar gjatë luftës së fundit.

“Unë e di dhe jam i bindur që çdo kosovar e ndjen dhimbjen njëjtë. Vetëm fizikisht që nuk e ndiejmë të njëjtë dhimbje sepse shpirtërisht edhe ne kemi dhimbjen e njëjtë. Besoj që të gjithë ne i kemi dyert e hapura për vëllezërit tanë. Ata na hapën dyert edhe neve atëherë kur e kishim “shpirtin në pazar” siç është një fjalë popullore…”, është shprehur Gërxhaliu derisa nuk mundi të flasë më tutje pasi u kaplua nga emocionet dhe lotët.

Pos Gërxhaliut, ka edhe shumë familje të tjera që kanë hapur dyert për familjet që kanë mbetur pa shtëpi, si shkak i tërmetit që ndodhi mëngjesin e së martës në Shqipëri.