Haradinaj: 800 shtretër për të prekurit nga tërmeti në Prizren

Tragjedia që ka prekur Shqipëri si pasojë e tërmetit shkatërrimtar, ka bërë bashkë shumë njerëz publikë, të çdo lloj fushe, si dhe krerë shtetesh. Kosova fqinje ishte e para që mobilizoi forcat e saj policore dhe xheniere dhe i dërgoi në Shqipëri. Ushqime dhe veshmbathje gjithashtu.

Së fundmi, nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në ‘Facebook’, Kryeministri në ikje i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se Parku Inovativ në Prizren do të jetë në dispozicion si strehë e përkohshme e të gjithë atyre që kanë pësuar nga tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë.

“Deri në 800 shtretër dhe hapësira akomoduese do të jenë në dispozicion për banorët që kanë pësuar nga kjo tragjedi”, shkruan Haradinaj.

Postimi i plotë
Parku Inovativ Trajnues në Prizren, do të jetë në dispozicion si strehë e përkohshme e të gjithë atyre që kanë pësuar nga tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë.

Së bashku me Ambasadën Gjermane në Prishtinë, zyrën e GIZ-it në Kosovë dhe Komunën e Prizrenit, kemi nisur përgatitjet e nevojshme për pranim-strehim, kujdes shëndetësor dhe ushqimor në Parkun Inovativ dhe Trajnues.

Deri në 800 shtretër dhe hapësira akomoduese do të jenë në dispozicion për banorët që kanë pësuar nga kjo tragjedi.
Si Kryeministër në detyrë menjëherë kam vendosur komunikim me institucionet përgjegjëse shtetërore në Shqipëri për të koordinuar hapat e mëtejmë për zbatim të këtij aksioni.
RH