Basha në Durrës: Të kalojmë këtë situatë tragjike me solidaritet si një familje e madhe

Kryetari i opozitës Basha deklaroi nga Durrësi se ende ka jetë njerëz që janë nën rrënoja në dy lagje të qytetit të Durrësit, ndërsa bëri thirrje për ta kaluar këtë situatë tragjike me solidaritet si një familje e madhe.

Reagimi iBashës
Sonte në Durrës, në lagjet 6 dhe 18, ku ende ka njerëz nën rrënojat e dy pallateve të shembura nga tërmeti, ndoqa nga afër punën e njësive të emergjencave civile nga Kosova, Franca dhe Rumania dhe të personelit tonë, të cilët prej ditës së djeshme po bëjnë përpjekje të mëdha në kushte shumë të vështira.

Specialistët e kërkim-shpëtimit më shpjeguan sfidat me të cilat po përballen për një operacion të suksesshëm shpëtimi. I falenderova në emër të çdo shqiptari për ndihmën e çmuar në këto momente tragjedie, kur ende ka njerëz nën rrënoja dhe kur numri i atyre që kanë humbur jetën po rritet.

Qytetarë të shumtë më treguan për dëmtime të mëdha që kanë pësuar shtëpitë e tyre, shumë prej të cilave janë bërë të pabanueshme.

Ju kërkoj atyre dhe çdokujt tjetër të ndjekin këshillat dhe udhëzimet për evakuim sipas rastit, duke shmangur çdo rrezik. Jeta dhe shëndeti i qytetarëve është përparësia kryesore. Si një familje e madhe, në solidaritet me njëri-tjetrin dhe me miqtë e partnerët tanë, do ta kalojmë këtë situatë tragjike.