Rita Ora, thirrje për të ndihmuar me fonde familjet e prekura nga tërmeti

Shqipëria është prekur ditën e martë nga dy tërmete të tmerrshme.
I pari u regjistrua në orën 04:00 me shkallë të Rihterit 6.4 në Durrës, ndërsa i dyti i fuqishëm ishte me magnitudë 5.4 shkallë të Rihterit dhe u regjistrua në ora 07:10.

Si rrjedhojë, tërmetet shkaktuan mbi 20 viktima dhe afro 600 të lënduar, sipas të dhënave të regjistruara deri më tani.
Të prekur nga kjo gjendje e jashtëzakonshme janë shumë shqiptarë, ndër ta edhe yjet me famë botërore që na përfaqësojnë më së miri në botë.

Sot është ditëlindja e saj e 29-të, me çka do duhej të ishte ndër ditët më të lumtura për të, por këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, mëngjesin e së martës u zgjua me një lajm të tmerrshëm.

Rita Ora (Foto: John Phillips/Getty Images/Guliver)
Viktimat dhe dëmet e mëdha të shkaktuara nga tërmetet në Shqipëri, kanë bërë që artistja të kthejë kokën nga populli i saj, duke treguar përmes rrjeteve sociale dhimbjen që po bashkëndjen me të gjithë shqiptarët në këtë ditë vështirë.

Në orët e mbrëmjes të së martës, Rita vendosi të bëjë një thirrje përmes rrjetit social Tëitter dhe Instagram, duke bërë thirrje që t’i bashkohen donacionit online për të dhuruar fonde, për të ndihmuar të prekurit nga tërmetet në Shqipëri.

“Ky është një lajm i tmerrshëm dhe një ditë shkatërruese për ata në Shqipëri. 16 kanë vdekur deri më tani dhe mbi 600 të plagosur. Unë kam familje dhe miq në Shqipëri, kështu që për ditëlindjen time po i thërras të gjithë të dhurojnë për një apel krize !! lutjet e mia janë me ju”, kanë qenë fjalët e këngëtares shqiptare me famë botërore.

Rita si një 29 vjeçare numëron suksese të shumta në arenën ndërkombëtare të muzikës. Ajo është krenuar gjithmonë me origjinën e saj, tekka ka kënduar falas në Shqipëri për 100 vjetorin e Pavarësisë më 28 nëntor 2012, dhe po ashtu në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës më 18 shkurt 2018.