Merkel në krah të shqiptarëve, por…

“Me Angela Merkel në Zagreb”, shkruan Kryetarja e LDGSH, Albana Vokshi, duke dhënë detaje në lidhje me qëndrimet e saj politike ndaj Shqipërisë dhe situatës politike të krijuar.

“Kancelarja mbështet shqiptarët, por ne duhet të zbatojmë kërkesat e rezolutës së PPE dhe Bundestagut.

Gjatë Kongresit të PPE-së në Zagreb, m’u dha rasti të përshëndetesha me Kancelaren Angela Merkel dhe ta falenderoja për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria gjermane dhe ajo, personalisht, kanë dhënë për forcimin e demokracisë, zhvillimin dhe nxitjen e proceseve integruese në Shqipëri.

Kancelarja Merkel më siguroi se Gjermania dhe ajo vetë, do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë dhe shqiptarët.
Vullneti i Gjermanisë dhe i vendeve të tjera të Bashkimit Europian u shpreh i qartë edhe në rezolutën e posaçme të PPE-së, ku kërkohet, para së gjithash, që Shqipëria të zgjidhë krizën e thellë politike dhe, nëpërmjet një reforme të vërtetë zgjedhore, të përgatisë vendin për zgjedhje të lira e të ndershme.

E vetmja pengesë për zbatimin e kërkesave të Perëndimit është qeveria e Shqipërisë.

Edi Rama refuzon të përmbushë kushtet e Bundestagut gjerman dhe të Partive Popullore Europiane. Ai vazhdon të sabotojë ngritjen e Gjykatës Kushtetuse, të shkatërrojë shanset për zgjedhjet të lira e të ndershme dhe të zhbëjë çdo përpjekje për një drejtësi të pavarur.

Rruga e vetme për ne është Perëndimi! Shqipëria si Europa është ajo që duan shqiptarët dhe ne do ta arrijmë së bashku!”, shkruan Vokshi.