Nuk do lejohen tifozët me fara kungulli e luledielli në stadium, as me çakmakë, as me…

Stadiumi i ri kombëtar, i cili nisi si “Air Albania Stadium”, por pritet që të mbajë emrin “Air Albania”, do të inaugurohet nesër me ndeshjen e fundit të eliminatoreve në Grupin H, Shqipëri-Francë.

Testi i parë i këtij impianti të ri u krye para një jave, në sfidën e femrave, Vllaznia-Apolonia, por nesër është prova e së vërtetës për “Air Albania Stadium”.

Rregullat që duhet të dinë tifozët për nesër:

1. Do kontrollohet karta e identitetit dhe bileta. Gjithashtu do të ketë kontroll fizik të tifozëve;

2. Nuk lejohen të futen në stadium tifozë me jelekë të paloguar;

3. Nuk do të lejohen tifozët që mbajnë çanta shpine, çadra, çakmakë, aparate fotografikë apo kamera, e gjithashtu fara luledielli.

4. Uji dhe pijet e tjera nuk do të lejohen të futen nga jashtë stadiumit, pasi tifozët kanë mundësinë t’i blejnë në tribunat përkatëse, ku do të ketë shërbim katering.

5. Mjete piroteknike si flakadanë, fishekzjarrë, kapsolla apo tymuese janë rreptësisht të ndaluara.

6. Tifozëve u ndalohen edhe vuvuzelat, boritë, bilbilat dhe lazerat.

7. Flamujt dhe simbole të tjera kombëtare do të lejohen vetëm me shkopinj plastikë.

8. Janë rreptësisht të ndaluara banderolat me përmbajtje politike.