Identifikim biometrik dhe votim elektronik

Pas përfundimit të mbledhjes së grupit për Reformën Zgjedhore në Partinë Demokratike, kryesuesi i këtij grupi, Oerd Bylykbashi deklaroi se, kanë diskutuar për disa çështje thelbësore .

Ashtu sikundër kanë deklaruar edhe më herët, Bylykbashi tha se, opozita ka propozimet e veta përsa i përket Reformës Zgjedhore dhe këto ia ka bërë të qarta edhe mazhorancës që sipas tij, nuk ka dëshirë t’i marrë parasysh.

Në mbledhjen e kësaj të hëne janë bërë edhe disa propozime të cilat edhe më herët janë prekur. Është vendosur që të punohet për identifikimin biometrik, votimin elektronik. Kjo, sipas Bylykbashit, do të bëjë të mundur luftimin e shitblerjes së votës, manipulimin në qendrat e votimit dhe do të bëjë të mundur që komisionerët politik të heqin duart nga kutitë.

Bylykbashi deklaroi për mediat se, opozita është ende duke diskutuar për elementet dhe se propozimet e tyre janë të qarta. Ndërsa sa i përket interesimit të gazetarëve nëse do të kërkohet konfigurim i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ai tha se kjo çështje është bërë tashmë publike dhe se asnjë zgjidhje që nuk gëzon besimin e palëve nuk mund të jetë e pranueshme.