Rama anuloi takimin, reagon Presidenti i Maqedonisë së Veriut

Zyra e shtypit e Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka reaguar lidhur me anulimin e takimit që kreu i shtetit në Shkup do të zhvillonte me kryeministrin Edi Rama në Tiranë.

Në një përgjigje për Fax News, zyra e shtypit bën me dije se, anullimi i takimit erdhi si pasojë e gjëndjes shëndetësore të Ramës, por pa dhënë detaje se për çfarë bëhej fjalë konkretisht.

“Takimi u anulua me një marrëveshje të ndërsjellë midis protokolleve të dy zyrave, Kryeministri Rama dhe Presidenti Pendarovski. Arsyeja ishte se, për shkak të çështjeve shëndetësore ajo u anulua dhe kryeministri Rama foli personalisht me Presidentin Pendarovski për të kërkuar falje që nuk mund të takohej. Ky është komenti ynë. Nuk kam detaje të mëtejshme”, thuhet në përgjigjen e zyrës së shtypit të presidentit të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, nga zyra e shtypit e kryeministrit Edi Rama nuk ka ende një reagim zyrtar lidhur me anullimin e takimit, ndërsa duhet theksuar se, shefit të qeverisë i është dashur disa herë, në mnyrë sekrete, ti drejtohet spitaleve për të kërkuar ndihmë shëndetësore.