Haradinaj i përgjigjet Ramës: I qëndroj asaj që kam deklaruar! Ai ka shqetësimet e tij…

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi shefi i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, njoftoi se do të ngrejë një padi ndaj tij për deklaratën e bërë pak ditë më parë.

Haradinaj shprehej se, së bashku me presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, Rama do të ndante 10 miliardë euro në tavolinë nëpërmjet planit të ndarjes territoriale të Kosovës.

Në një komunikim me televizionin informativ ‘News 24’, Haradinaj nuk u tërhoq nga akuza e tij. ‘Nuk e kam ndjekur atë që tha Rama. Kam lexuar nëpër portale.

Ai ka shqetësimet e tij. Unë kam kundërshtuar shkëmbimin e territoreve, do të ishte humbje e madhe për Kosovën. Duan të marrin pasuritë e Kosovës’, tha Haradinaj.

Reagimi i Haradinajt vjen pas deklaratës së Ramës, i cili mohoi që të kishte ndërhyrë për çështjen e heqjes së taksës prej 100 % ndaj mallrave dhe produkteve serbe, në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në prill në Berlin.

Çfarë tha Rama mbrëmë

‘Në gjykatat e Kosovës, zotëria duhet të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndanim unë, Hashim Thaçi dhe Vuçiçi. Që t’i thuash një populli se ishin 10 miliardë në tavolinë atyre bravo ju qoftë që marrin akoma vota’.

Akuza e Haradinajt

‘Me një investim jo më të madh se sa 140 milionë €, Trepçja jep një fitim neto rreth 500 milionë €në vit, për 20 vjet bëjnë 10 miliardë €, të cilat duhet t’i gëzojë Kosova dhe Serbia. Ndalova grabitjen 10 miliardë €, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë  në realizimin e kësaj skeme. Por, unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera  e Trepçës, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës’.