Grabitja e pronave në bregdet, policia mësyn në Kadastrën e Durrësit, 17 të arrestuar

17 punonjës të Kadastrës janë shoqëruar mëngjesin e sotëm në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës. Ende nuk dihen arsyet e shoqërimit të tyre.

Kohët e fundit në Kadastrën e qytetit bregdetar ka pasur zhvillime të bujshme, që me arrestimin e drejtorit Liridon Pula.

Pula u arrestua nën dyshimet se së bashku edhe me zyrtarë të tjerë, kanë tjetërsuar dhe abuzuar me pronat, kryesisht në bregdet.

Arrestimi i kreut të Kadastrës në Durrës solli një përplasje mes qeverisë dhe prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, i cili firmosi për arrestimin e tij. Në fillim të muajit, prokuroria arrestoi Lusiena Kolën, përgjegjëse e sektorit juridik në ASHK-në e Durrësit.

Më pas njoftoi edhe arrestimin e Liridon Pulës, i cili mbante postin e drejtorit. Prokuroria ka bërë po ashtu  shpalljen në kërkim të ish-kreut të agjencisë së legalizimeve. Prokurori Ndoja u akuzua nga kryeministri Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe, se mbështet bandat e krimit dhe se ka ushtruar presion ndaj kreut të kadastrës në Durrës.