Basha: Ndryshimi është i domosdoshëm dhe i pandalshëm

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi pas një takimi me drejtues të lartë të OSBE në Vienë se ndryshimi në Shqipëri është i pandalshëm dhe i domosdoshëm. Basha tha se nuk ka një komision të reformës zgjedhore, por ka një komisariat politik të pushtetit për këtë reforme.

“Tema kryesore ka qenë tema e zgjedhjeve. Opozita është e vendosur të japë kontributin e saj për një reformë zgjedhore për të garantuar lirinë e votës. Për këtë duhet vullnet politik për ta miratuar dhe zbatuar reformën.

Kjo është arsyeja pse PD dhe aleatet tanë kanë vënë në dispozicion të kësaj reformë gjithë ekspertizën tonë. Duhet vullnet politik, i cili deri tani mungon nga ana pala tjetër që është edhe pala e kapur në shkatërrimin e tre palë zgjedhjeve.

Prandaj me sekretarin e përgjithshëm të OSBE kemi diskutuar për ndihmën që mund të japë OSBE. Në rolin që ka OSBE për ti kujtuar vendeve anëtare për standardet që duhet të përmbushin sa i përket demokracisë dhe shtetit ligjor.

Së dyti në ofrimin e ekspertizës dhe së treti në rolin që OSBE mund të luajë për të ndihmuar në dialogun politik kaq shumë të nevojshëm dhe të kërkuar nga BE për ti dhënë fund krizës politike”, tha Basha