Basha: Jam i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor! Edi Ramën e kam mundur dhe e mund çdo ditë!

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetarin e “News24”, Osman Stafa, ku ka folur për krizën politike, vendimin negativ të KE për negociatat, por edhe dialogun e munguar mazhorancë-opozitë.

Basha ka deklaruar se, nuk e ka asnjë problem të përballet me kryeministrin Edi Rama në zgjedhje, ndërsa ka theksuar se nuk do të bëjë kurrë kompromis me krimin, në kurriz të shqiptarëve. Kreu i opozitës është shprehur se synimi i tij i panegociueshëm është të sigurojë për shqiptarët modelin evropian të qeverisjes.

Intervista e plotë

Pyetje: Zoti Basha, pas një periudhe të gjatë ju keni nisur, le të themi, komunikimin virtual, me kryeministrin Rama. Pse palët nuk po shkojnë dot në dialog të ulen dhe t’i jepet fund një herë e mirë kësaj krize politike? Pra, këtë komunikim që ju keni zhvilluar, ta zhvilloni përballë?

Lulzim Basha: Komunikimi politik ka qenë i pandërprerë, virtual përmes akteve, xhesteve politike. Komunikimi politik midis palëve nuk është ndërprerë në asnjë çast.

Pyetje: Ditët e fundit ka qenë goxha intensiv…

Lulzim Basha: Problemi qëndron se çfarë komunikojmë. Opozita ka 10 muaj që ka intensifikuar aksionin politik, qytetarët janë në rrugë, të gjithë kërkojnë ndryshim. Edhe Bashkimi Europian me vendimin e ditës të premte, qartësisht, çon një sinjal për ndryshim. Thotë që “kështu nuk vazhdohet”, “kupa është mbushur, kështu nuk vazhdohet”.

Për fat të mirë një nga aktorët më të rëndësishëm, që është Bundestagu gjerman, nuk është mjaftuar thjesht dhe vetëm me konstatimin që “Shqipëria në këtë mënyrë nuk ecën dot përpara”, por na ka parashtruar edhe udhërrëfyesin sesi të dalim nga kjo krizë e gjithanshme. Të gjithë duan ndryshim. I vetmi person që nuk do ndryshim, i vetmi person që është i interesuar të ruajë këtë status quo dhe të ruajë privilegjet e pushtetit për veten e tij dhe për oborrin e klientëve të tij, është Edi Rama.

Pra, nuk mund të themi se ka pasur një mungesë idesh, propozimesh nga opozita, tashmë nga Bundestagu, nga Bashkimi Europian; por ka pasur një mungesë vullneti, ka pasur mungesë dëshire për të ndryshuar gjendjen aktuale në vend. Kjo e ka shtyrë opozitën drejt aksionit të saj politik, e ka shtyrë dhe po shtyn drejt formulimit të zgjidhjeve për shqiptarët.

Dhe kjo do të vazhdojë derisa, bashkë me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që kërkojnë ndryshim, pavarësisht prej bindjeve politike, por që janë të pakënaqur me gjendjen aktuale, me status quo-në, ne patjetër që do t’ua japim këtë ndryshim Shqipërisë, ta nxjerrim nga gropa ku e ka futur qeverisja aktuale, do t’i hapim derën Europës dhe, më e rëndësishmja, do të rikthejmë shpresën, mundësitë për mirëqenie për çdo shqiptar.

Pyetje: Zoti Basha shpesh keni artikuluar se për të kapërcyer këtë krizë politike duhet vullnet politik. Ju konkretisht e keni këtë vullnet për t’u ulur, për të diskutuar?

Lulzim Basha: Edhe një herë, më vjen keq që diskutimi për këtë çështje shpeshherë tkurret në koncepte, “A ulesh?”, “A s’ulesh?”. E kam dëshmuar vullnetin tim disa herë, në emër të opozitës. Nuk kam asnjë kompleks as të ulem, as të diskutoj.

Ka një problem për, të paktën, tre herët e fundit, kryeministri aktual e ka abuzuar vullnetin e opozitës dhe timin personal, për të zgjidhur problemet me dialog. Dhe çfarë ka ndodhur? Situata me korrupsionin nga keq është bërë shumë më keq. Bashkëpunimi i tij me aleatët e tij, që janë kriminelët, nga politik është kthyer edhe ekonomik. Shikoni çfarë po ndodh?

Vetëm dje Kepi i Rodonit i është dhënë një trafikanti droge, Roland Ziut. Një tjetër trafikant droge që merr një investim strategjik në një nga pjesët më të bukura të bregdetit. Ditën kur Bashkimi Europian nuk binte dot dakord për Shqipërinë dhe për këtë e pësoi edhe Maqedonia e Veriut, siç e dinë të gjithë tashmë – e dinë të gjithë shqiptarët që Maqedonia e Veriut e pësoi për shkak sepse Edi Rama nuk arriti të bindte dot qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian – atë ditë në Parlament kalonte Korporata e Investimeve Strategjike, që është një mekanizëm për të grabitur pronat publike të shqiptarëve dhe pronat private të shqiptarëve.

Pra, është e qartë se kemi të bëjmë me mungesë vullneti, dëshire dhe do të thoja edhe kapacitetesh, nga kjo qeveri dhe nga ky kryeministër. Prandaj ne kemi parashtruar atë rrugë, tashmë e konfirmon edhe Bundestagu: reformë zgjedhore, zgjedhje të ndershme që t’u japim shqiptarëve mundësinë të zgjedhin dhe qeveria t’u takojë shqiptarëve. Boll më me një qeveri që i takon 10 pashallarëve! 5 kriminelë, 5 oligarkë, të vetmit që punojnë, të vetmit që marrin licenca, të vetmit që kanë favore.

Do të zgjidhësh diçka, e zgjidh vetëm me këta 10 pashallarë dhe me Edi Ramën. Kjo nuk mund të jetë Shqipëria europiane dhe kjo ka çuar në një depresion të thellë shoqëror dhe ekonomik. Dhe ne jemi të vendosur ta nxjerrim vendin nga ky depresion. Si do ta nxjerrim? Në radhë të parë duke ia rikthyer qeverisjen shqiptarëve, qeverisjen, që sot është e oligarkëve, e bandave, t’ua kthejmë shqiptarëve. Dhe e vetmja mënyrë është reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të ODIHR-it, sipas kërkesave të Bundestagut dhe menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku sovrani të diktojë parlamentin e ardhshëm dhe qeverinë e ardhshme.

Pyetje: Zoti Bash,a reforma zgjedhore, siç e thatë edhe ju, është një nga kushtet kryesore të Bundestagut dhe, po ashtu, ju keni thënë ditët e fundit që kjo është edhe rrugëdalja, rrugëzgjidhja për krizën politike. Por, në fakt, pse opozita e bashkuar nuk e ka pranuar karrigen në Komisionin e Reformës Zgjedhore? Dhe, ndërkohë, pse po bëhen dy tryeza paralele për reformën zgjedhore?

Lulzim Basha: Nuk ka Komision të Reformës Zgjedhore. Ka një bashkësi njerëzish të drejtuar nga Damian Gjiknuri, që, për vete duhet të ishte para Prokurorisë për rolin e tij në dosjen e famshme “184” të Dibrës, si dhe disa marioneta të pushtetit, të cilat bëjnë fasadën e opozitës. Pra, është një komision monist. Prandaj propozimi ynë tash tre javë është që t’i japim fund fasadës, t’i japim fund lojrave. Ky është një problem serioz, problem real, nuk gënjehet Europa me lojra. Dhe ja ku doli.

Tre javë më parë i bëra thirrje Edi Ramës t’i japë fund lojrave me reformën zgjedhore, nuk e gënjen dot Europën ti që ke Komision të Reformës Zgjedhore, sepse të gjithë e dinë që ai nuk është komision legjitim. Por duke i dhënë rolin që i takon edhe PS, edhe parlamentit monist, natyrisht, edhe opozitës së bashkuar, e vetmja opozitë në vend, me faktorin ndërkombëtar dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, të nisim një process, për të cilin kemi paraqitur një propozim tonin, propozimin me 5 pika.

Kemi tre javë që i kërkojmë ditë për ditë shprehu për këtë propozim, vazhdon lojrat. Pse? Kthehemi tek ajo që thashë në fillim, se i vetmi njeri që nuk është i interesuar për ndryshim, do ta mbajë Shqipërinë kështu siç është, feudin e vet, çifligun e vet, është Edi Rama. Ndaj, një reformë e vërtetë zgjedhore, e cila e rikthen pushtetinqytetarëve për të zgjedhur, e rikthen llogaridhënien tek qytetarët, natyrisht, që e tremb atë dhe gjithë ata faktorë që përfitojnë nga kjo situatë.

Se këtu kanë gjetur shesh dhe bëjnë përshesh! Këtu grabisin, këtu vjedhin, manipulojnë pronat private, pronat publike, buxhetin e shtetit. E kanë lidhur Shqipërinë për 20 vitet e ardhshme në vargonjtë e PPP-ve dhe koncesioneve, ndërkohë që në fusha kryesore ku ndihet kriza, siç është ekonomia, arsimi, shëndetësia jo vetëm që nuk ka hapa para, por vendi ka shkuar 10, 15 vjet prapa.

Pyetje: Zoti Basha, ditën e sotme opozita e bashkuar, në nivel politik është mbledhur për reformën zgjedhore. Në dijeninë tuaj çfarë ka prodhuar ky takim mes ekspertësh dhe figurash politike?

Lulzim Basha: Zoti Bardhi dhe ekspertët e Partisë Demokratike, bashkë me ekspertët e partive të tjera të koalicionit opozitar, të opozitës së bashkuar, kanë vendosur piketat për tre çështje kryesore që kanë të bëjnë me:

Së pari, reformimin e partive politike, ligji për partitë politike, ligji që ka të bëjë me financimet e partive, financimet e fushatave, me vendimmarrjen demokratike brenda partive. Pra për t’i kthyer ato në faktorë, në mbartës të interesave të publikut dhe jo mbartës të interesave të grupeve të veçanta kriminale apo oligarkike dhe për t’i bërë ato promotore të zhvillimit dhe jo promotore të konfliktit dhe të krizës.

Së dyti, problem shumë kryesor, do të thoja më kryesori i reformës është ndarja e politikës nga krimi. Pa ndarë politikën nga krimi, pa zbatuar ligjin e Dekriminalizimit, i cili sot nuk zbatohet. sepse sot janë dy kryetarë bashkish që kanë dalë me shkelje të ligjit të Dekriminalizimit dhe Edi Rama me prokurorinë e kapur, akoma i mbron- pa bërë këtë nuk mund të themi se mund të garantojmë qoftë edhe kushtin më minimal, që zgjedhjet do të jenë për qytetarët, siç e tha ODIHR-i: Zgjedhjet duhet të jenë për qytetarët.

Votimet e 30 qershorit nuk ishin për qytetarët. Për kë ishin? Ishin për pushtetarët. Hapi tjetër ka të bëjë me garantimin e votës së lirë dhe këtu, natyrisht, do të ketë propozim prej vitit 2016 që Edi Rama e zvarrit, që është votimi elektronik dhe numërimi elektronik, si dhe identifikimi me shenjat e gishtërinjve të zgjedhësve për të, në mos zhdukur, zvogëluar mundësinë për abuzime që vihen re këtu dhe hapsira për grupe kriminale dhe për zyrtarët e korruptuar dhe që ushtrojnë presion ndaj zgjedhësve.

Çështja e tretë ka të bëjë me sistemin zgjedhor, i cili është një debat që nuk duhet kufizuar vetëm mes aktorëve politikë, por i duhet parashtruar gjithë qytetarëve, gjithë grupeve të interesit.

Një debat që duhet bërë me transparence, por, po kështu, me ndershmëri. Sepse ideja që ka një sistem magjik në botë, që ne nuk e kemi zbuluar akoma, i cili do të na çlirojë nga problemet e shitblerjes së votës, e kandidimit të personave me rekorde kriminale, presionit ndaj votuesve, presionit ndaj administratës, politizimit të policisë, politizimit dhe keqpërdorimit të administratës zgjedhore, ky është iluzion.

Këto janë probleme të cilat kërkojnë vullnet politik edhe ky është një konkluzion i ODIHR-it. Pra nuk duhet t’i ikim kësaj as ne si forca politike. Natyrisht edhe faktori ndërkombëtar është ndërgjegjësuar se kjo nuk është çështje të ndryshojmë disa ligje: “A ka vullnet për t’i zbatuar këto ligje apo ajo?!”. Se ligji aktual në Shqipëri ndalon 90% të atyre që ndodhën më 30 qershor, apo në 2017-ën, apo në 2016-ën në Dibër, por nuk u dënua askush. Merren me shitësit e kokoshkave në rrugë, me ato që nuk paguajnë dot 3 mijë lekë faturën e energjisë.

Merrem me gjobë vënie në kundërshtim me ligjin, merren me të pambrojturit, merren me të pafuqishmin, ndërkohë që bosët e krimit, ata që zhvasin pasuritë e shqiptarëve pasi zhvasin votën e shqiptarëve në këto momente që flasim i ke në lokale më luksoze të Tiranës, pse jo edhe të Romës, të Parisit, të Monte Carlos. Duhet barazi para ligjit. Pra, ne duhet të vijmë me propozime konkrete, të cilat duhet të japin zgjidhje konkrete, por propozimi kryesor i yni mbetet përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme, dhe garantimi i këtyre zgjedhjeve me mekanizma që garantojnë pikërisht zbatimin e të gjithë rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Ky tashmë është edhe kushti i Parlamentit gjerman për hapjen e negociatave. Pra, edhe në skenarin më pozitiv, në qoftë se mrekullisht arrijmë të bindim edhe vendet e tjera mosbesuese ndaj kësaj qeverie, prapë se prapë nuk ka rrugë tjetër, nuk mund të bëjmë by pass, nuk mund t’i ikim 9 kushteve të formuluara qartë nga Bundestagu gjerman.

Pyetje: Zoti Basha, kryeministri Rama ka thënë këto ditë që deri në fund të vitit do të miratojë fazën e parë të Reformës Zgjedhore, pra deri në dhjetor do të votojnë në parlament rekomandimet e OSBE/ODIHR. Po në qoftë se kjo platformë e juaja nuk pranohet sërish nga shumica, cili do të jetë hapi juaj i rradhës?

Lulzim Basha: Unë nuk do të futem në pjesën e spekulimit “në qoftë se ndodh kjo, çfarë do të ndodhë”. Dua të them të them që ka dy mënyra për ta sabotuar rrugën europiane të Shqipërisë. Ka dy mënyra për ta mbajtur Shqipërinë në këtë gjendje që është, nga ata që janë të interesuar ta mbajnë kështu siç është.

Mënyra e parë është të mos bëjnë asgjë.
Mënyra e dytë është të bëjnë sikur bëjnë diçka.

Bundestagu është shprehur fare qartë: Reforma zgjedhore duhet të kalojë me kontributin e të gjithë forcave politike. Opozita i ka prirë këtij procesi me propozime konkrete. Ndaj ta harrojë çdokush se mund t’i hedhë hi syve, Europës. Është e freskët plaga që mori vendi. E pamerituar për Shqipërinë, e pamerituar për shqiptarët. Të nëntë kushtet, janë kushtet Rama, kushte të cilat janë bërë për një njeri.

Janë kushte, të cilat i drejtohen një njeriu të vetëm. Ndaj, vetëm do ta zhyste vendin edhe më thellë në krizë, por, natyrisht, do të shtonte edhe faturën e përgjegjësisë së vet politike dhe personale. Padyshim që opozita do t’i përgjigjet dhe qytetarët jam i sigurtë se nuk do të pranojnë kurrsesi një farsë të tillë në kurrizin e tyre.

Ne duam një Reformë Zgjedhore të vërtetë e cila i jep fund problematikave të konstatuara nga OSBE/ODIHR, dhe bën diçka të thjeshtë, normale edhe për qytetarët e Kosovës, mundësinë që qytetarët ta ndërrojnë qeverinë me votën e tyre të lirë. Mos të jetë kjo një traumë, një ngjarje e madhe, dramatike për disa, festive për disa të tjerë, por të jetë normalitet si është në çdo vend tjetër, normalitet i demokracisë. Qeveritë ndërrohen, kjo është demokracia.

Pyetje: Zoti Basha, doja një koment tuaj, si qytetar këtë herë, si e komentoni veprimin e ambasadorit të prezencës së OSBE në Tiranë, Boschardt, para disa protestuesve?

Lulzim Basha: Absolutisht të papranueshëm.

Pyetje: Më lejoni të bëj avokatin e djallit në këtë pikë. Ju fajësoni kryeministrin e vendit Edi Rama për mos hapjen e negociatave, por ndërkohë edhe Maqedonia e Veriut në fakt nuk kishte kushte, por edhe ajo mori një jo. Si e komentoni? Mos ndoshta ka qenë problematika e Francës?

Lulzim Basha: Jo, kjo është propaganda qeveritare, siç e thatë dhe ju. Shqiptarët e kanë kuptuar qartë besoj. Edhe të dhënat e fundit tregojnë se shqiptarët e kuptojnë se ishte Edi Rama që fundosi popullin e tij, vendin e tij dhe mori dhe Maqedoninë e Veriut me vete. Pati disa momente, ku u diskutua mundësia e ndarjes së dy vendeve, që do të thoshte që Maqedonisë t’i hapeshin negociatat dhe Shqipërisë jo dhe u mor një vendim që ky hap nuk duhej të hidhej.

Në këtë kuptim, ironikisht Makron i ka bërë një shërbim Edi Ramës, sepse i ka dhënë një mundësi të përkohshme të fshihet pas vendimit në bllok për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por, nga ana tjetër, e vërteta është në dritën e diellit, është e pamanipulueshme. Po të shikojmë diskutimet brenda në Këshill, po të shikojmë deklaratat pas mbledhjes së Këshillit, është e qartë që problemi ishte me mospërmbushjen e kushteve nga qeveria shqiptare.

Nga ana tjetër pati një përpjekje gati mbinjerëzore të drejtuesve të BE dhe të udhëheqësve të vendeve anëtare për t’i thënë shqiptarëve: nuk e kemi me ju, nuk e kemi me Shqipërinë, nuk kemi asgjë kundër Shqipërisë, nuk ka racizëm kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, ne ju duam një orë e më parë në gjirin tonë. Por e pamundur të bëhet sot. Pse? Sepse Edi Rama ka dështuar në raport me demokracinë, në raport me institucionet, në raport me shtetin e së drejtës, me drejtësinë, në raport me konvergjencën ekonomike, që do të thotë të rrisësh standardin ekonomik dhe të afrosh me vendet e BE. Si bëhet kjo? Duke ia dhënë pasuritë 10 oligarkëve? Duke lënë popullin me gisht në gojë?

Kjo bëhet, pikërisht, duke garantuar konkurencën e lirë. Duke garantuar aksesin në treg. Duke garantuar kushtet e punëmarrësve, të punësuarve. Duke garantuar mirëqenien e fermerëve. Duke garantuar arsimin si shtylla e të ardhmes së shoqërisë. Siç janë të rinjtë sot, do të jetë vendi nesër. Në të gjitha këto fusha kemi të njëjtin regres të tmerrshëm, siç kemi dhe në fushën politike. Fusha politike është simptoma, tregon se çfarë ndodh më poshtë.

Kapja e shtetit, prishja e zgjedhjeve, pabarazia para ligjit, këtë qëllim kanë. Që 10 pashallarët dhe Edi Rama të jetojnë si në çiflig duke vjedhur, duke zhvatur, pa u hyrë gjemb në këmbë, ndërsa gjithë të tjerët të jenë kokulur dhe në shërbim të tyre. Kështu nuk ka dhe nuk mund të ketë Europë. Këtë kemi vite që e themi ne, këtë mesazh çoi edhe Europa me datë 18 tetor. Këtë e kanë kuptuar të gjithë, ndryshimi është i pashmangshëm dhe i paevitueshëm.

Ky është një lajm i mirë që vjen nga e gjithë kjo. Ndryshimi është i pashmangshëm, i paevitueshëm, sado të përpiqet Edi Rama, sado të përpiqen të pandehurit e dosjeve 184 dhe 339, sado të përpiqen oligarkët dhe bandat kriminale, ndryshimi është i pashmangshëm. E gjithë Shqipëria do ndryshimin. Demokratë, opozitarë, socialistë, të gjithë duan ndryshimin, të gjithë thonë njëzëri.

Mund të thonë gjëra të ndryshe për aspekte të ndryshme, për këtë gjë thonë “kështu nuk vazhdohet më. Kështu nuk shtyhet më.” Dhe ndryshimi fillon duke u dhënë këtyre qytetarëve mundësinë që të gjykojnë dhe të votojnë sipas gjykimit të tyre, alternativën më të mirë që e nxjerr vendin nga kjo situatë. Formulimi i kësaj alternative, programi ynë, planiynë për ekonominë, për punësimin, për gjendjen ekonomike si një emergjencë kombëtare, por edhe për të gjithë aspektet e tjera, është tani prioriteti ynë kryesor si Parti Demokratike dhe si opozitë.

Pyetje: Ju i kërkoni kryeministrit Rama të japë dorëheqjen dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, por a është e gatshme opozita të përballet me kryeministrin Rama në zgjedhje dhe si do të arrihet kjo, me Ramën kryeministër apo me qeveri tranzitore?

Lulzim Basha: Nuk kemi ne asnjë problem, as si opozitë, as si Parti Demokratike dhe as unë personalisht, sepse Edi Ramën e kam mundur edhe tek e tek dhe e kemi bërë atë betejë. E kam mundur dhe e mund çdo ditë. Nuk është problemi te njeriu. Problemi është: do të ketë një palë zgjedhje të tjera, si 2016-ta, 2017-ta, ku në vend që të votojnë qytetarët, në vend që të diktojë sovrani me votë, të diktojë krimi?! Oligarkët? Avdylajt?

Do të ngrihen postblloqe policie për të penguar votuesit dhe s’do t’u ndodhë asgjë? Me shefa policie të korruptuar? Me ministra që bërtasin “tërmet, tërmet”? Me presion ndaj administratës publike se “do t’ju heqim nga puna”, ndaj mësuesve, ndaj mjekëve? Apo do të ketë zgjedhje normale? Nuk po them si në Zvicër, por të paktën si në Kosovë.

Jemi i njëjti komb, jemi i njëjti popull. Pse ata ia dalin brenda një kohe fare të shkurtër të shkojnë në zgjedhje të parakohshme dhe t’i organizojnë, dhjetë ditë fushatë, të ketë një rotacion normal të pushtetit dhe këtu jo! Pse? Sepse këtu pushteti nuk është i lidhur me qytetarët, është i lidhur me pasurinë dhe fatin e një njeriu dhe 10 pashallarëve. Prandaj, kjo duhet të marrë fund.

Dhe që kjo të marrë fund, pyetja është fare e thjeshtë: ky njeri, që është arkitekti i Dibrës në 2016-ën, – çfarë iu desh të çonte gjithë Partinë Socialiste, gjithë skalionet e krimit, gjithë policinë, për të marrë me zor bashkinë e Dibrës, pasi kryetari i parë i bashkisë iu kap në skandal, ç’ju desh – dhe pastaj të përsërisë të njëjtën skenë në 2017-ën në të gjithë Shqipërinë. Dhe ta përsëriste prapë në 30 Qershor, kur nuk kishte asnjë kundërshtar përballë.

Edhe pa kundërshtar përballë, shikoni more se çfarë ndodhi! Shqiptarët e mbajnë mend se çfarë ndodhi. Pa kundërshtarë përballë, vetë kandidoi, vetë numëroi, vetë vulosi, vetë certifikoi, iu deshën 27 ditë si asnjëherë tjetër për të nxjerrë rezultatin, dhe prapë se prapë ai proces i paligjshëm dhe antikushtetues, edhe aty nuk garantoi standardet minimale.

Tani pyetja që pyetja që ju më drejtoni ju mua, po jua drejtoj dhe unë ju dhe çdo qytetari: Ky njeri që, ta themi shkoqur, vjedh edhe veten e vet kur nuk ka kundërshtarë, është ky njeriu që mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme? Mendoj se përgjigja është afër mendsh që Jo. Ndërkohë kemi dikë tjetër, në vend fqinj, Zoran Zaev, i cili thotë: e mbaj unë përgjegjësinë për këtë, do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.

Dhe në atë vend, pikërisht për t’i hapur rrugë një procesi të pakontestueshëm, një procesi që t’u takojë qytetarëve dhe jo qeverisë, do të ketë qeveri teknike. 100 ditë para zgjedhjeve do të ketë qeveri teknike. Nuk është fundi i botës. T’u garantosh qytetarëve lirinë e votës, të ulësh tensionin politik në vend, të garantosh rotacion normal politik të pushtetit, nuk është fundi i botës. Është fillimi i demokracisë, është fillimi i mirëqenies për njerëzit, por është fundi i privilegjeve të pamerituara. Është fundi i hajdutërisë dhe fundi i pabarazisë para ligjit.

Pyetje: Ju shpreheni se jeni të gatshëm të shkoni në zgjedhje të parakohshme, por nga ana tjetër kryeministri Rama nuk tërhiqet, teksa thotë se “zgjedhje do të ketë vetëm në vitin 2021”. Çfarë do të bëjë opozita që ta detyrojë Ramën të shkojë në zgjedhje?

Lulzim Basha: Qëndrimet e Ramës nuk mund të merren për bazë. Sepse po t’i marrim, që nga 6 vjet përparë, 4 vjet përpara, 3 vjet përpara, 2 vjet përpara, çfarë ka thënë, nuk e ka bërë. Është një gënjeshtar kronik, por nuk përbën ajo asnjë bazë për ne. Ne jemi në misionin tonë për t’i shërbyer interesit të njerëzve. Ai është i vetmi njeri, siç e thashë, që nuk do të ndryshojë asgjë.

Do status quo, do të bëjë vetëm ndryshime fasadash. Edhe në kuptimin politik të fjalës, ndryshim fasade. Ndërkohë që prapa kemi një katastrofë reale, kemi një gërmadhë. Kemi gërmadhë të një ekonomie në kolaps që nuk funksionon. Kemi papunësi masive, kemi arsimin në ditën më të zezë në 20 vitet e fundit. Kemi shëndetësinë edhe më keq. Pse? Sepse paratë që duhet të shkojnë për arsimin, paratë që duhet të shkojnë për shëndetësinë, paratë që duhet të shkojnë për ekonominë i marrin 10 pashallarët. Koncension, PPP, tender pa konkurencë dhe pa dobi publike, me çmime, dy, pesë, dhjetë herë më të larta sesa në vendet e tjera të rajonit.

Pra i vetmi njeri i interesuar për status quo-në është Edi Rama. Nuk ka ndonjë habi. Ai mirë që thotë 2021, sepse ai mund të thotë edhe 2121-in. Por është i vetmuar. Është i vetmuar dhe ka përballë sot jo thjesht opozitën dhe përkrahësit tanë, që janë shumica e re në vend, por ka përballë edhe socialistët e ndershëm, që e kuptojnë se kështu nuk mund të vazhdohet më! Nuk mund të mbetet vendi peng i një njeriu dhe i interesit të një njeriu për pushtet dhe pasuri personale.

Pyetje: Ky njeri, të cilin ju e përmendni, ka në dorë për të çuar ose jo vendin në zgjedhje të parakohshme apo nëse do të vazhdohet deri në vitin 2021. Pyetja ime është e qartë. Çfarë do të bëjë opozita që ta detyrojë këtë njeri të shkojë në votime?

Lulzim Basha: Ai ka në dorë atë që ka në dorë, por, as ai dhe askush tjetër, nuk ka në dorë të ndalë dëshirën, vullnetin e një shumice, masive, popullore. Ndaj, detyra jonë si opozitë është të vazhdojmë këtë që kemi nisur, vetëdijësimin e njerëzve, t’i bëjmë të besojnë se gjëra, në të vërtetë, mund të jenë ndryshe dhe duhet të jënë ndryshe, si dhe të bashkohemi për ndryshimin që sot e dëshiron dhe e shpreson çdokush. Pavarësisht nëse është mbështetës apo jo i PD, të gjithë duan ndryshim! Kështu nuk vazhdohet më!

Pyetje: Zoti Basha, a mendoni ju se një qeveri mund të bjerë vetëm me anë të denoncimeve? Ju keni bërë shumë denoncime për koncesionet dhe akuzoni prokurprinë se nuk ka bërë punën e saj. Po ashtu ju akuzoni prokurorinë se nuk ka bërë punën e saj përballë akuzave që ju keni hedhur ndaj 3 kryebashkiakëve. A mendoni ju se duhet të ketë më shumë sesa denoncime për t’u përballur me këtë klikë, siç ju thoni?

Lulzim Basha: Asnjë opozitë nuk ka qenë më e plotë në të gjitha dimensionet e aktivitetit të saj, sesa opozita shqiptare në këto 6 vite. padyshim, që kemi denoncuar, se nëse opozita hesht, e keqja triumfon. Në disa vende të rajonit kjo ndodh. Opozitat janë gojëmbyllur dhe e keqja triumfon. Kemi denoncuar dhe do të vazhdojmë të denoncojmë, por, po kështu, kemi treguar edhe rrugët e daljes nga kjo krizë.

Ne kemi platformën tonë për ekonominë, kemi propozimin tonë për rritjen e konkurencës, kemi propozimin tonë fiskal, kemi propozimin tonë për shëndetësinë, për arsimin. Ne kemi propozimin tonë për luftën kundër oligarkisë, monopoleve, krimit të organizuar. Dhe, mbi të gjitha, këto propozime nuk janë bërë thjesht dhe vetëm nga salla të mbyllura.

Janë bërë në kontakt me njerëzit, janë bërë në një dialog dhe, pse jo, me një gjendje vëmendjeje dhe dëgjese prej qytetarëve. Kjo do të vazhdojë. Ne nuk e kemi shteruar këtë proces. Unë, personalisht, nuk e kam shteruar këtë proces. Vazhdimisht, jam në kontakt me grupet e interesit, me qytetarë, në terren, për të marrë edhe nga ata mendimet, sugjerimet, problematikën, propozimet për zgjidhjet.

Mbi të gjitha, kemi marrë aktet më të forta politike që ka marrë ndonjë opozitë europiane në 70 vitet e fundit. Pra, kjo opozitë ka qenë e plotë dhe do të vazhdojë të jetë e plotë në ndërthurjen e të gjitha aksioneve të mundshme që një opozitë politike mund të ndërmarrë: denoncim, propozim, përballje, ofertë, alternativë.

Pyetje: Zoti Basha si ndjeheni ju, kur shikoni që, sot, në vendet tuaja në parlament, janë ulur disa deputetë, të cilët, ëhstë parë që nuk dinë të lexojnë dhe nuk dinë të shkruajnë. Këta deputetë kanë dalë nga lista juaj, pra ju i keni firmosur…

Lulzim Basha: E para e punës, ajo është një sëmundje e sistemit. Duhet të keni parasysh që këta kanë ardhur nga fundi i listavë, ku, për të thënë të drejtën, edhe vëmendja e propozuesve të emrave ka qenë më e reduktuar. Një pjesë e emrave ka ardhur nga partitë e vogla aleate. Kjo është diçka që nuk thuhet shpesh. Gjysma e tyre, nuk kanë ardhur as si propozim i PD, por i aleatëve shumë të vegjël, të cilët e kërkonin këtë si afishim nominal të partisë, logos së partisë.

E gjtiha kjo ka ndodhur në një process në më pak se 5 ditë. Nga marrëveshja e 17 Majit deri në publikimn e listave, koha për të bërë një veting të kandidaturave ka qenë më e shkurtra ndonjëherë në 30 vjet histori të zgjedhjeve. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk është justifikim. Është një shans për reflektim dhe për ndryshim, që kjo të mos përsëritet më kurrë.

Pyetje: A nuk mendoni se duhet të ndryshojë sistemi i listave?

Lulzim Basha: Absolutisht jam i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Personalisht, kam shprehur preferencën time për sistemin maxhoritar, për lidhjen e drejtpërdrejtë të deputetit me zgjedhësit. Kjo i jep shumë mundësi zgjedhësit dhe deputetit që të përfaqësojnë interesin publik drejtpërdrejt në parlament, pavarësisht, nëse partia e tyre është në qeveri apo jo, ku të mos shohin faktin, që kur partia është në qeveri, deputetët kthehen në kukulla dhe ngrenë dorën për çfarë t’u thotë kryeministri, sepse e kanë të lidhur fatin me kryeministrin dhe, shpeshherë, me interesa korruptivë që vijnë nga qeveria, por ta lidhin ekzistëncën e tyre politike me fatin e votuesit.

Ka edhe sisteme të tjera. Asnjë sistem nuk është imun ndaj korruptimit dhe ndërhyrjes së krimit në procesin zgjedhor. Prandaj, detyra kryesore, siç ju thashë më parë, është të ndajmë politkën nga krimi. Ndarja e politikës nga krimi, dhënia fund e influencës së krimit të organizuar në proceset zgjedhore, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit, i jep mundësinë qytetarëve që, në cfarëdolloj sistemi, që dëshirojnë ata – dhe kjo duhet të jetë një çështje e vendimmarrjes, jo thjeshtë e disa partive politike, por sa më të gjerë e qytetarëve shqiptarë – me çfarëdolloj sistemi të kenë parlamentin që i përfaqëson, i mbrin dhe i avancon interesat e tyre dhe jo intereat e 5, 6 apo 10 pashallarëve, pushtettarqve, kriminelëve apo oligarkëve.

Pyetje: Në vitin 2013, zoti Rama erdhi në pushtet me premtime se do të ndryshonte vendin dhe në, fakt, ju thoni sot se shqiptarët nuk e besojnë më atë. Pse duhet t’ju besojnë juve shqiptarët zoti Basha, që do të bëni ndryshimin?

Lulzim Basha: Edi Rama dështoi në secilin prej premtimeve me të cilat erdhi në pushtet, siç dështoi para një jave me Bashkimin Europian, siç ka dështua me ekonominë, siç ka dështuar me shëndetësinë, siç ka dështuar me luftën kundër korrupsionit. Këto 6 vite kanë qenë vitet me dështimet më të mëdha, me hapat më të mëdhenj pas, për shkak të qeverisjes së mbrapshtë dhe të korruptuar të Edi Ramës.

Natyrisht, ajo që unë kam bërë, ajo që ne kemi bërë, nuk është garanci për atë që ne do të bëjmë. Megjithatë, Ia vlen të kthejmë në kujtesën, shpeshherë, të shkurtër të publikut, që kemi qenë ne që, me anë të reformave, me anë të vendimeve të drejta politike, bëmë të mundur dhënien fund te izolimit të vendit që i parapriu procesit tjetër me BE-në, ku u hoqën vizat për Shqipërinë. Sot shumica e shqiptarëve e kanë harruar dhe shumë mirë kanë bërë që e kanë harruar sfilitjen, vuajtjen e pritjes më radha të gjata për të shkuar për të vizituar fëmijët apo prindërit me shansin gjysmë për gjysmë, se e merrni apo nuk e merrnin atë vizë.

Ndërsa sot udhëtojnë me dinjitet në BE për shkak të hapave që ne hodhëm ër shkak të luftës pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit, për shkak të reformave që ndërmorëm. Kjo tani po kërcënohet. Kjo qeveri jo vetëm që nuk po avancon, por, siç e keni parë, kemi, të paktën, një vend që kërkon rivendosjen e vizave për shqiptarët, që është Holanda. Kjo do të ishte një katastrofë totale. Ajo që dua t’ju them është se kemi demonstruar vullnetin dhe kapacitetet tona për të udhëhequr në bazë të normave dhe vlerave europiane.

Kemi bërë gabimet tona pa diskutim, si parti, edhe unë, por asnjë gabim nuk humbet, nëqoftëse kthehet mësim. Dhe në këtë kuadër jemi shumë më të përgatitur, shumë më të vendosur për të çuar përpara atë që, fatkeqësisht, ka mbetur në vendnumëro për gjashtë vite, rrugën e standardit europian, që nuk është një proces abstrakt lerash e reformash në letra. Që të futesh në Europë, duhet të sillesh si europian, duhet të kesh standarde europiane.

S’futesh dot në Europë, kur ke standarde afrikane, të punësimit, të kushteve të punës, mirëqenies, fuqisë blerëse, të shëndetësisë, të arsimit. Për këto mendoj, modesisht, që drejtuesit duhet të kenë disa parakushte, sepse një kryeministër i lidhur me krimin nuk mund ta çojë vendin në Europë. Pavarësisht vërejtjeve, kritikave që mund të kenë ndaj PD-së, ndaj meje personalisht, një gjë nuk e thonë dot kurrë: Lulzim Basha nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë kurrë kompromis me krimin në kurriz të interesave të shqiptarëve.

Këtë garanci e kanë pasur, e kanë dhe do ta kenë, edhe kur Partisë Demokratike, opozitës së bashkuar t’i besohet drejtimi i vendit. Me këtë garanci dhe me garanci të tjera, me programin tonë, alternativën tone, për të cilën, siç e thashë, jemi të angazhuar të bashkëbisedojmë me qytetarët – kemi përfunduar disa platforma bashkëpunimi me disa grupe interesi duke përfshirë biznesin e vogël dhe grupe të tjera, që do t’i bëjmë publike së shpejti, – ku gjithsecili ta gjejë veten tek kjo qeveri.

Të mos jetë një qeveri përjashtuese pashallarësh, oligarkësh dhe kriminelësh, por të jetë qeveria që mbron dhe përfaqëson interesat e çdo shqiptari dhe në fund çdo shqiptar të shprehet nëse e ka bërë ose jo siç duhet punën. T’i kthehemi normalitetit. Të vijë me votë, të largohet me votë pa qenë as drame, as festë.

Pyetje: Një nga problemet më të mëdha të qeverive shqiptare në këto 30 vite ka qenë mbajtja e premtimeve. A jeni i gatshëm të bëni një pakt me qytetarët për premtimet që do t’u bëni dhe mbajtjes së këtyre premtimeve?

Lulzim Basha: Pa dyshim, kjo është ajo që po ndjekim. Siç jua thashë, dy shembuj për dy kriza të njohura për publikun kanë qenë Pakti për Teatrin Kombëtar dhe Pakti me banorët e “Astirit”. Të njëjtin pakt, të njëjtën kontratë, Partia Demokratike e ka përgatitur edhe me grupe të tjera të interest, ku parashikohet qartë se ku do të jetë angazhimi i qeverisjes sonë të ardhshme jo vetëm me problemet e tyre sot, por në raport edhe me synimet, planet, vizionin tonë dhe aspiratat e tyre për nesër.

Kjo përfshin një numër shumë të madh kategorish dhe grupesh interesi, nga biznesi i vogël, tek fermerët, nga bota akademike tek profesionet e lira. Nuk do të jetë thjesht një recitim programi. Është një ndërveprim, edhe pse një pjesë larg syrit të medias, por shumë shpejt edhe në syrin e medias, sepse nuk ka asgjë për të fshehur, duhet të jenë transparente dhe publike, ndërveprimin midis e atyre që kërkojnë përgjegjësinë e qeverisjes së vendit dhe atyre që e japin këtë përgjegjësi dhe do ta kontrollojnë këtë përgjegjësi me votën e tyre.

Ky është një model normal europian. Është e tepërt të thoshim që po shpikim diçka. Është një model europian, të cilin unë e njoh shumë mire. Kam pasur rastin ta jetoj dhe provoj edhe gjatë formimit tim në perëndim dhe që sot nga pozitat e kryetarit të opozitës, e kam në synimin tim dhe të panegociueshëm, që këtë dhe asgjë më pak t’i ofroj shqiptarëve nesër në qeverisje.