Shqipëria kundër Moldavisë, për fitore dhe për të afirmuar lojtarët e rinj

Humbja me Turqinë solli dhe venitjet e shanseve të kombëtares Shqiptare për një kualifikim të mundshëm në Europianin 2020.

Por Shqipëria ndeshjet e fundit, duke filluar nga ajo me Moldavinë sonte mbrëma, do t’i zhvillojë së pari për të fituar, sepse vendi i tretë është akoma në lojë, por edhe për të konfirmuar edhe lojtarët e rinj në skuadër.

Një lojtar për tu pasur kujdes është Marash Kumbulla.

Rritja e tij si lojtar dhe paraqitjet e tij shumë të mira në Seria A, ka bërë që drejtuesit e federatës italianë të futbollit, të shfaqin interes për të.

Pavarësisht se Kumbulla gjithmonë ka qenë me idenë për të mbrojtur fanellën kuq e zi, frika në faktin që interesimi i Italisë mund të jetë konkret në të ardhmen, duhet të shtyjë Shqipërinë që ta aktivizojë në një ndeshje zyrtare siç është kjo e sotmja ndaj Moldavisë, në këtë mënyrë, Kumbulla nuk mund të luajë me asnjë skuadër përveç Shqipërisë.

Një lojtar tjetër që ka lënë përshtypje të veçanta është dhe Klaus Gjasula, për të cilin këto ndeshje shërbejnë për të rritur eksperiencën me kombëtaren e të njohë më mirë grupin.