Wenger: Hazard nuk mund ta zëvendësojë Ronaldon

Arsene Wenger insiston se Eden Hazard nuk mund ta zëvendësojë Cristiano Ronaldon në Real Madrid.

Trajneri francez thotë se “Los Blancos” nuk e kanë shijuar ende Hazardin e vërtetë, por që edhe kur ta bëjnë këtë, ai nuk do të mund ta zëvendësojë asnjëherë Ronaldon.

Pas largimit të yllit portugez, Reali pati rënie dhe po has në vështirësi të arrijë suksese, përkundër përforcimeve që i bëri këtë verë.

“Ai do të jetë përgjigja, por jo duke e zëvendësuar Ronaldon, kjo është e sigurt. Ai nuk do t’i shënojë 50 gola në vit sepse tash po luhet ndryshe futbolli”, ka thënë Wenger për beIN Sports.

“Eden Hazard është lojtar i shkëlqyer për të krijuar raste për të tjerët dhe këtë mund ta bëjë në ndeshje të mëdha. Ai nuk ka frikë nga ndokush, nuk mendoj se Reali e ka parë ende Hazardin e vërtetë. Ai nuk është ende në gjendjen fizike në të cilën mund të jetë. Kjo është arsyeja se përse nuk e kemi parë ende Hazardin e vërtetë”, ka përfunduar trajneri francez.

Hazard e regjistroi golin e parë dhe asistin e parë në La Liga në fitoren e Real Madridit ndaj Granadas me rezultat 4:2, para ndeshjeve të Kombëtareve.