Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, pajtohen për bashkëqeverisje

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, bashkë me kandidaten e kësaj partie për postin e kryeministrit, Vjosa Osmani, janë pajtuar të enjten për formimin e koalicionit qeverisës, por do të presin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të së dielës për hollësitë e tij.

Pas takimit zonja Osmani tha se është diskutuar më shumë në nivel të parimeve dhe jo të hollësive, por më e rëndësishme është që të dyja partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë.

“Ka disa gjëra që filluam diskutimet tona kryesisht sa i përket një qeverie e cila do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive mirëpo që patjetër do të rritet sa i përket punës së mirë që do ta bëjmë në të qytetarëve”, tha ajo duke nënvizuar se “për ne është me rëndësi që të presim numërimin e të gjitha votave para se ta arrijmë marrëveshjen finale por siç e thash në fillim e mira është se ka vullnet të mirë në të dyja palët, në të dyja partitë që kjo marrëveshje të arrihet”.

Zoti Kurti tha ndërkaq se “Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta prandaj pa humbur kohë ne kemi filluar bisedimet duke u nisur me idenë e përbashkët që do ta zbatojmë për qeveri sa më efikase e për shtet sa më të fuqishëm”.

Ai tha se është synim i përbashkët që t’u dilet zot nevojave të qytetarëve, të respektohen të drejtat e tyre dhe shteti të orientohet nga drejtësia, zhvillimi, demokracia dhe mirëqenia për të gjithë.

“Jemi dakorduar që të kemi një dysheme prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor minimalisht, pra do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministrave edhe në mesin e zëvendësministrave.

Do të kemi shumë më pak ministri, shumë më pak zëvendësministra por do të kemi shumë më tepër angazhim, përkushtim, punë. Ekipet tona profesionale edhe të lëvizjes Vetëvendosje edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të takohen për të harmonizuar programet tona dhe për t’u dakorduar për projektet tona”.

Të dy thanë se hollësitë dhe ndarja e pushtetit do të ndodhë pasi të përfundojë procesi i numërimit të votave. “Në radhë të parë ne si Lidhje Demokratike e kemi deklaruar edhe më parë që po presim rezultatin final dhe natyrisht në qoftë se rezultati konfirmohet kushdo që del se ka marr më së shumti vota në atë moment, ne në asnjë mënyrë nuk do të hezitojmë që në bashkëqeverisje të pranojmë kushdo që ka fituar ta merr pozitën e kryeministrit. Sa i përket asaj se ku do të jem unë ku është vendim që do ta marr unë së bashku me partinë që e përfaqësoj”, tha zonja Osmani.

Ndërsa Zoti Kurti tha se “tash për tash e dini cili është rezultati, unë nuk besoj se do të mund të ndryshoj ai por për dakordim e për korrektësi natyrisht që e kuptoj që fjala e fundit është certifikimi në fund i zgjedhjeve nga KQZ-ja. Por besoj që PDK-ja është në opozitë dhe kjo nuk do të ndryshoj.

Vetëvendosja dhe LDK-ja do të qeverisin së bashku as kjo nuk do të ndryshoj dhe mund t’i ruajmë fjalët e fundit për fund, por mendoj se shumëçka, për të mos thënë gjithçka është e qartë”, tha ai. Sipas rezultateve paraprake lëvizja Vetëvendosje kryeson në këto zgjedhje e pasuar nga Lidhja Demokratike.

Të dyja palët kishin lënë të hapur mundësinë për një koalicion pas zgjedhjeve, pasi nuk arritën të merren vesh që të dalin bashkë në votime. Pas zgjedhjeve, zoti Kurti tha se është e domosdoshme që këto dy parti të punojnë së bashku, ndërsa edhe zonja Osmani tha se qytetarët e Kosovës “përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”.