Kosova me sy e veshë nga Praga

Anglia është përfaqësuesja që e ka mposhtur së fundi Kosovën.

Më 10 shtator në Southampton, Anglia fitoi 5:3 ndaj “dardanëve”, që kaluan në epërsi që në minutën e parë. Një tjetër fitore e Anglisë do të paraqiste lajm të mirë për përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Natyrisht jo në ndeshje me Kosovën, por në ndeshjen që anglezët e luajnë të premten (sot, 20:45) ndaj Çekisë. Ndeshja Çeki – Angli luhet në “Sinobo Stadium” në Pragë dhe ka ndikim të madh në ëndrrën e Kosovës për kualifikim në “Euro 2020”, shkruan sot Koha Ditore.

Anglia prin në Grupin A eliminator me 12 pikë nga katër ndeshje. Çekia është e dyta me 9 pikë nga pesë ndeshje, ndërsa e treta është Kosova me 8 pikë nga pesë ndeshje. Mali i Zi e Bullgaria janë jashtë garës për kualifikim me nga 2 pikë të mbledhura.

Me Anglinë superiore në grup, ka mbetur e hapur gara për vendin e dytë, që po ashtu ofron biletë për kampionatin evropian.