Komisioni i Venecias: Shkarkimi i Presidentit nuk mund të justifikohet

Komisioni i Venecias ka publikuar raportin e tij lidhur me veprimtarinë e Ilir Metës dhe ka dalë në konkluzionin se shkarkimi i Presidentit nuk mund të justifikohet. Burime bëjnë me dije se Venecia është shprehur se edhe nëse vërtetohet se mund të ketë tejkaluar kompetencat me shtyrjen e zgjedhjeve lokale, sërish nuk mund të flasim për shkarkim.

“Edhe pse Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat duke shtyrë zgjedhjet vendore, nisja e procedurave të shkarkimit mund të mos jetë e justifikuar.

Ekspertët e Komisionit të Venecias dalin në përfundimin se, pavarësisht se Presidenti mund të ketë vepruar në tejkalim të fuqive të veta Kushtetuese, ka indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre të atillë sa të justifikojnë nisjen e procedurave të shkarkimit.

Në opinionin e miratuar sot, që është kërkuar nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias vëren se Presidenti i Shqipërisë nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik. Edhe në rast të një gjendjeje të jashtëzakonshme, si luftë apo katastrofë natyrore, Parlamenti duhet të miratojë një ligj të posaçëm për të shtyrë zgjedhjet.

Si kundërpërgjigje ndaj krizës politike në vend dhe bojkotit nga disa parti politike kryesore, Presidenti në fillim i anuloi zgjedhjet e më pas i shtyu ato. Pavarësisht se Parlamenti vendos se Presidenti tejkaloi kompetencat e tij, Komisioni i Venecias ka dyshime nëse këto ishin të atilla sa të konsideroheshin “shkelje të rënda”.

Ekspertët nënvijëzojnë thirrjen e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë se shtyrja e zgjedhjeve do të kishte kontribuar në arritjen e një kompromisi mes partive. Ata theksojnë mungesën e ankimimit të dekreteve të Presidentit në Gjykatë.

Për më tepër, zgjedhjet vendore nuk kanë të njëjtin status kushtetutshmërie si zgjedhjet parlamentare. Ekspertët thonë që, pavarësisht se Parlamenti do të vendose se shkeljet ishin të rënda, kjo nuk do të duhet të sillte domosdoshmërish nisjen e procedurave të shkarkimit, duke marrë në konsideratë objektiva të tjerë kushtetues, si ruajtja e balancave dhe stabiliteti i vendit.

Nëse Parlamenti vendos pro shkarkimit do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese që të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit përbëjnë shkelje aq “të rënda” sa për të justifikuar shkarkimin e tij”.