Detaje të reja/ Kryebashkiakut të Vlorës iu dogj “Range Rover”-i për prishjen e pazareve të pronave

Detaje të reja janë mësuar nga hetimet për djegien e makinës së kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli.

Burime policore bëjnë të ditur se në vendin e ngjarjes janë vërejtur dy motora që qarkullonin në mënyrë të dyshimtë. Njëri prej motorëve është larguar pak përpara se makina të merrte flakë, ndërsa mjeti tjetër ka qëndruar edhe pak çaste më shumë.

Ndërkohë që një person është kapur nga kamerat e sigurisë duke i hedhur makinës Range Rover, në pronësi të bashkisë së Vlorës lëndë djegëse.

Grupi hetimor është duke kqyrur edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të identifikuar personat.

Makina tip ‘Range Rover’ që përdorej nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli u shkrumbua nga flakët në lagjen ‘Lef Sallata’ dje dhe si pasojë e flakëve nga zjarri u përfshi edhe një automjet tjetër që ka qenë afër tip ‘Ford’ në pronësi të B.A.

Ndërkohë, ish-deputeti i PD, Flamur Noka u shpeh dje në një deklaratë për mediat se, djegia e makinës së Kryetarit të Bashkisë së Vlorës është tregues i shtetit të Edi Ramës të bërë njësh me krimin, ku pushteti i takon bandave dhe jo ligjit.

“Në Vlorë po vepron krimi i organizuar që Edi Rama i ka dhënë pushtet, për arsyen e vetme se është krimi i organizuar që financon fushatën e Partisë Socialiste dhe që e ndihmon Edi Ramën të blejë vota e të vjedhë zgjedhjet. Tani, krimi kërkon akoma më shumë zgjerim, kërkon të blejë pasuri të patundshme, të pastrojë paratë e pista dhe nuk ndalet përpara asgjëje.

Paprekshmëria e krimit të organizuar dhe fuqizimi i tij gjatë qeverisjes së Edi Ramës është arsyeja pse në Vlorë kanë dhënë dorëheqjen 9 drejtorë për çështjen e pronave. Vetëm tre muajt e fundit kanë dhënë dorëheqjen, njëri pas tjetrit, 3 drejtorë kadastre, por Edi Rama ua fsheh të vertetën shqiptarëve.

E vërteta është se kjo është një luftë mes bandave. Është një bandë e krimit të organizuar për të gllabëruar toka në bregdetin e Jalit, kundër bandës së qeverisë, që po e grabit atë me klientët e Edi Ramës, të cilëve u jep statusin e investitorit strategjik për të grabitur dhe betonizuar Rivierën shqiptare”, deklaroi Noka.