De Ligt: Kam mësuar t’i besoj vetes

Qendërmbrojtësi holandez Matthijs de Ligt thotë se ka mësuar t’i besojë vetes në Juventus dhe se ka qenë një sfidë e mrekullueshme ta marrë përgjegjësinë për ta zëvendësuar Giorgio Chiellinin e lënduar.

Juventusi i shpenzoi 75 milionë euro gjatë afatit kalimtar të verës për ta transferuar Matthijs de Ligtin nga Ajaxi. Ai tashmë është duke e zëvendësuar Giorgio Chiellinin e lënduar në vijën e mbrojtjes së bardhezinjve.

Megjithatë, 20-vjeçarit nuk i ka shkuar gjithçka ashtu siç do të kishte dëshiruar, veçanërisht pas kritikave që ai i kishte marrë gjatë disfatës me rezultat 4:3 kundër Napolit.

“Mësimi më i rëndësishëm që e kam marrë në Juventus deri më tani është se duhet t’i besoj vetes. Fillimisht unë isha i përqendruar mbi të gjitha të mos bëj gabime, diçka që s’duhet ta bëj në asnjë mënyrë. Në javët e para, mendoja shumë për këtë gjë”, tha De Ligt.

“Pas ndeshjes kundër Atleticos, unë tentova të rikuperohem dhe të kthehem në fushë me vetëbesim. Diçka mund të shkojë keq gjithmonë, por unë jam i sigurt se gjërat do të përmirësohen. Që nga atëherë, unë po luaj më mirë”.

Përkundër kësaj, holandezi e dha një penallti gjatë fitores së “Zonjës së Vjetër” me rezultat 2:1 kundër Interit, të dielën.

“Kjo është pjesë e ndeshjes. Fatkeqësisht kjo është jeta e një mbrojtësi. Natyrisht, unë nuk dëshirova t’ua dhurojë një penallti, mirëpo në fund ne fituam dhe vetëm kjo ka rëndësi”.

“E kuptoj Sarrin kur thotë se kërkon më shumë nga unë. Secilit lojtar që transferohet në një klub tjetër duhet t’i jepet pak kohë për t’u përshtatur.  Juventusi tashmë i ka dy mbrojtës të mrekullueshëm. Ideja ishte që unë ta fusë veten në skuadër dalëngadalë, por, në vend të kësaj, unë u vendosa në fushë menjëherë dhe për mua ka qenë një sfidë e mrekullueshëm”.