Përshkallëzimi i protestave në Hong Kong

Policia e Hong Kongut përdori gaz lotësjellës në disa zona të dielën ndërsa dhjetëra mijëra protestues pro demokracisë dolën në rrugë, duke kundërshtuar ndalimin e maskave të fytyrës.

Protestuesit mund të shiheshin duke përshkuar qytetin me ambrella ndërsa shiu binte mbi ta. Qeveria e Hong Kongut të premten i ndaloi njerëzit të mbanin maska në protestat publike duke cituar një nen të epokës koloniale britanike për emergjencat që është përdorur për herë të fundit për të shuar trazirat në vitin 1967.

Protestuesit, përfshi disa me maska, marshuan nëpër qytet pas vendimit, duke çuar në mitingje, si dhe përleshje të dhunshme. Ligjvënësit pro-demokracisë shkuan në Gjykatën e Lartë të dielën në mëngjes duke kërkuar një urdhër urgjent kundër ndalimit të maskave por kërkesa e tyre u hodh poshtë.

Carrie Lam, shefja ekzekutive e Hong Kongut tha se rregullorja e re, e cila hyri në fuqi të shtunën, është një “ndalim për mbulimin e fytyrës” dhe ka për qëllim “të verë në shënjestër rebelët ose ata që përdorin dhunën”.

Ligji i ri kërcënon këdo që vesh maska në protesta me burgim deri në një vit. Banorët e Hong Kongut ende mund të veshin maska në rrugë, por sipas ligjit të ri, ata duhet të heqin maskat nëse u kërkohet nga policia.

Ndalimi i maskës për fytyrën ka edhe përjashtime për ata që kanë nevoja të ligjshme të veshin maskë. Maskat për fytyrën janë bërë të zakonshme gjatë protestave në Hong Kong, madje edhe në marshime paqësore, pasi njerëzit kanë frikë nga ndëshkimi nga zyrtarët e qeverisë ose nëse identiteti i tyre mund të ndahej me Kinën kontinentale.

Shumë banorë të Hong Kong-ut gjithashtu mbajnë maska për të mbrojtur nga ndotjet ose infeksionet, siç është shpërthimi i sindromës vdekjeprurëse të rëndë të frymëmarrjes (SARS) që goditi qytetin në vitin 2003.

Për katër muajt e fundit, qyteti është përfshirë në trazirat ndërsa mbrojtësit e demokracisë u angazhuan në taktika gjithnjë e më konfrontuese për të luftuar kundër asaj që ata shohin si përpjekje të Kinës për të kufizuar autonominë e Hong Kongut dhe liritë civile.