PD kërkon vendim nga Gjykata për Teatrin Kombëtar: Të pezullohet projekti i arkitektit Bjarke Ingels

3 akuzat kundër arkitektit danez Bjarke Ingels për shkelje të rënda të ligjit shqiptar në aferën e Teatrit Kombëtar nuk janë objekti i vetëm i padisë që Partisë Demokratike ka depozituar në prokurori.

Forca më e madhe e opozitës i kërkon prokurorisë që të kërkojë në gjykatë urdhërimin e vendosjes së sekuestros preventive ndaj projektit, që shemb Teatrin Kombëtar dhe i hap rrugën grabitjes së pasurisë publike për ndërtimin e kullave.

‘Vendosja e sekuestros preventive ndaj këtij projekti do të ishte edhe një masë që parandalon pasojat e parikuperueshme dhe jashtëzakonisht të dëmshme për interesin publik që ka realizimi i atij projekti. ‘- thuhet në padinë e dorëzuar nga Partia Demokratike ndaj arkitektit danez Bajrke Ingels dhe studios së tij që ka projektuar Teatrin Kombëtar, pa u bazuar në ligjet e vendit dhe me përfitime të paligjshme.

Partia Demokratike i kërkon, gjithashtu, prokurorisë të kryejë një hetim të plotë e të gjithëanshëm për aferën me Teatrin Kombëtar, duke patur si pikënisje ftesën që arkitekti Bjarke Ingels deklaron se ka marrë në vitin 2016 nga Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë për realizimin e projektit të paligjshëm dhe korruptiv tek Teatri.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në padinë drejtuar prokurorisë shprehet se hetimi i kësaj afere, i pandikuar politikisht, është një rast për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për afera korruptive, duke vënë të parin interesin publik.