Real Madridi në gjendje kritike në Europë!

Real Madridi do të duhet të luftojë shumë për ta siguruar një vend në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, pasi që madrilenët e kanë siguruar vetëm një pikë nga dy ndeshjet hapëse.

Goli i barazimit, i shënuar në minutat e fundit nga Casemiro, bëri që Real Madridi t’i shmanget një disfate tronditëse kundër Club Brugge, që fillimisht kishte qenë në epërsi prej dy golash në ndeshjen që përfundoi me barazim 2:2, shkruan Marca, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, situata në Evropë për Real Madridin mbetet kritike.

Madrilenët do të udhëtojnë në Stamboll për t’u përballur me Galatasarayn më 22 tetor, duke e ditur se një ndeshje e madhe i pret ata. Vetëm katër ditë më vonë, ata do të ndeshen me Barcelonën në kuadër të La Ligës në “Camp Nou”.

Kjo është një situatë e re për Real Madridin, që zakonisht e kalon fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve me lehtësi. Rekordi i tyre më i keq pas dy ndeshjeve të para të fazës së grupeve, në 24 edicionet e Ligës së Kampionëve që kanë marrë pjesë, ka qenë tre pikë.

Por, barazimi me Club Brugge e bën situatën edhe më të komplikuar për “Los Blancos” ndeshjet e tyre të radhës në Evropë tashmë janë theksuar si më të rëndësishmet në kalendarin e tyre.

Radhën do ta ketë udhëtimi në Turqi, para se Galatasaray ta vizitojë stadiumin “Santiago Bernabeu”, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt të fazës së grupeve.

Paris Saint-Germaini është mysafiri i tyre për ndeshjen e xhiros së pestë, para se “Los Blancos” të udhëtojnë në Club Brugge.

Për momentin, Real Madridi radhitet i fundit në tabelën e Grupit A, me vetëm një pikë të grumbulluar nga dy ndeshjet e para (një barazim dhe një humbje), ndërsa Paris Saint-Germaini kryeson me gjashtë pikë.