Pas Greqisë, Turqisë e Holandës, drogë nga Shqipëria edhe në Gjermani, Bundestagu jep alarmin

Shqipëria është një qendër e trafikut të drogës për tregun europian. Kështu thuhej në dokumentin e miratuar në Bundestagun gjerman, që kushtëzon nisjen e negociatave. Grupet parlamentare më të rëndësishme në Gjermani janë të alarmuara për faktin se trafiku po rritet ndjeshëm.

“Sasia e kanabisit të konfiskuar në Itali një tregues i sasisë së kultivuar – ra me 81% brenda një viti (6,59 ton në vitin 2018 krahasuar me 34,72 ton në vitin 2017). Ekziston edhe një bashkëpunim i ngushtë me autoritetet gjermane. Shqipëria mbetet sidoqoftë, qender e trafikut të drogës për tregun evropian. Trafiku i drogës është rritur ndjeshëm”, thekson Bundestagu gjerman.

Por pikërisht në ditën kur ‘droga shqiptare’ ka vërshuar që nga Ekuadori, Brazili, Holanda e Greqia, Gjermania nuk mund të ‘mbetet’ pas.

Policia kufitare bavareze lajmëroi të martën se ka arrestuar një shqiptar 28-vjeçar. Ai po trafikonte 12.5 kilogramë kokainë drejt Austrisë. Makina e tij kishte targa gjermane. Pas kontrollit të policisë, brenda mjetit u gjet edhe sasia e drogës.

Autoritetet nuk kanë dhënë shumë detaje për ngjarjen, pasi po hetojnë për itinerarin e sasisë së drogës. Një gjykatë vendosi ta lërë në paraburgim 28-vjeçarin nga Shqipëria.