Granit Xhaka emërohet kapiteni i ri i Arsenalit

Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, e ka emëruar mesfushorin Granit Xhaka si kapiten të parë të klubit londinez, në vend të Laurent Koscielnyt, i cili u transferua në Bordeaux gjatë afatit kalimtar të verës.

Transmetuesi Publik Britanik, BBC, raporton se Unai Emery ia tregoi skuadrës së tij vendimin për rolin e kapitenit të premten, pasi u konsultua fillimisht me futbollistët e klubit londinez.

Mesfushori me origjinë nga Kosova, i cili e përfaqëson Kombëtaren e Zvicrës, e ka drejtuar skuadrën e Arsenalit në gjashtë nga tetë ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat këtë sezon, ndërsa i ka bërë mbi 100 paraqitje për Arsenalit që kur iu bashkua klubit në vitin 2016 nga Borussia Monchengladbach.

Ndeshja e radhës, e para për Xhakën si kapiten permanent, do të jetë kundër Manchester Unitedit të hënën, në kuadër të Premierligës.

Emery është ende duke e shqyrtuar se cilin lojtar ta emërojë zëvendëskapiten, pasi që sulmuesit Alexandre Lacazette dhe Pierre-Emerick Aubameyang janë ende dy kandidatët kryesorë për këtë rol.

Vendimi i Emeryt për ta emëruar Xhakën kapiten mund të mos pritet mirë nga shumë tifozë, pasi që 27-vjeçari u fishkëllye nga tifozët gjatë ndeshjes kundër Aston Villës fundjavën e kaluar, përderisa vendi i tij në skuadër duket se është në rrezik, për shkak të Mateo Guendouzzit dhe Dani Ceballosit.