Basha: U rikonfirmua se kush është shkaktari i krizës dhe kush e mban peng Shqipërinë, opozita ka gati planin antikrizë

Kryetari i PD, Lulzim Basha në një intervistë për RTV Ora akuzon kryeministrin Edi Rama si shkaktar të krizës. Basha tha se, është kryeministri që refuzon përpjekjet e ndërkombëtarëve për të nxjerrë vendin nga kriza.

Basha: Nuk është për t’u habitur që jo për herë të parë, as për herë të dytë, por vazhdimisht, ai refuzon përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për të ndihmuar Shqipërinë të dalë nga kjo krizë e thellë politike, përfaqësuese, kushtetuese dhe ekonomike. Por as vëmendja dhe as problemi ynë nuk është tek ajo që thotë Edi Rama. Si opozitë jemi terësisht të fokusuar për të ndërtuar rrugën e daljes nga kjo krizë. Kemi propozimet tona dhe në rrafshin e reformës zgjedhore, përfshirë edhe ndryshimet legjslative. Pjesa më e madhe janë ato që thotë OSBE/ODIHR, vullneti politik, ndëshkimi i personave që janë kapur duke vjedhur dhe blerë votat në bashkëpunim me krimin, ndërtimi i një administrate zgjedhore që nuk është nën kontrollin qeveritar.

Opozita është e vendosur të ecë përpara. Platforma jonë do të konsultohet me qytetarët dhe grupet e interesit, do të jemi në konsultim të vazhdueshëm dhe me faktorin ndërkombëtar për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Deklaratat e mbrëmshme vetëm rikonfirmojnë para shqiptarëve se kush është shkaktari i krizës dhe kush e mban peng Shqipërinë. Ndërkohë që kushtet shtohen, Edi Rama feston hapjen imagjinare të negociatave. Kjo duhet të marrë fund. Opozita është e angazhuar të paraqesë para faktorit ndërkombëtar, para qytetarëve, por edhe para faktorëve të tjerë politikë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize, planin antikrizë. Ky është tashmë investimi jonë kryesor si opozitë.

Basha tha se, opozita është e fokusuar për planin antikrizë dhe platforme kombwtare ndryshimi.

Basha: E shohim veten jo vetëm si opozita e vendit, por edhe si alternativa qeverisëse e së nesërmes dhe e dimë që shqiptarët presin. Shqiptarët më shumë se denoncime presin rrugën e daljes nga kriza. Kjo është detyra jonë kryesore për t’u dhënë shqiptarëve platformën e ndryshimit që meritojnë.

“Rama i trembet nderkombetareve”, shtoi ai

Reforma zgjedhore

Basha shmangu përgjigjen kur u pyet, se a do të shkojë më PD në tryezën për reformën zgjedhore nëse PS refuzon propozimin e tyre për krijimin e një strukture te posaçme.

Basha: Nuk dua të paragjykoj asnjë hap tjetër të mëtejshëm.

Shefi i opozitës i pyetur nëse PD po shmang opozitën parlamentare për reformën zgjedhore dhe po kërkon negociata vetëm me PS dhe ndërkombëtarët për reformën zgjedhore dhe krizën dha këtë përgjigje për RTV Ora.

Basha: Ka vetëm një opozitë, opozita politike e vendit. Parlamenti monist me pseudo-komisione dhe pseudo-opozita të financuara, të mbështetura dhe keqëpërdorura nga Edi Rama nuk përfaqësojnë asgjë veç veten e tyre.