Rama liron Tahirin, shteti në duart e një organizate kriminale, drejtësia ka vdekur!

Gjykata ka lënë të lirë Saimir Tahirin dhe e ka çliruar atë nga të gjitha akuzat për trafikim droge dhe krijim të organizatës kriminale duke e shpallur fajtor vetëm me akuzën qesharake për shpërdorim detyre.

Dënimi është pjesë e një gjyqi farsë dhe të orkestruar nga Rama për të pastruar figurën e Tahirit me këtë dënim qesharak. Me këtë “dënim” Tahiri mund të kandidojë sërish për të qenë deputet, pasi nuk konsiderohet si një dënim penal. Ky vendim ekspozoi edhe një herë rënien e sistemit të drejtësisë dhe kapjen totale të tij nga kreu i organizatës kriminale në pushtet. Tahiri nuk do të bëjë asnjë ditë burg.

Me akuzën për shpërdorim detyre ai do dënohet vetëm me shërbim prove, gjë që nënkupyton se vetëm nëse bën shkelje tjetër penale atëhere ai mund të dënohet prej vërteti. Gjyqi dhe vendimi ndaj Tahirit është dëshmia e qartë se i gjithë shteti është kapur nga një organizatë kriminale që drejton pushtetin.

Mafia sot bën ligjin dhe ajo nuk mund të dënojë asnjë nga gjeneralët e vet. Vendimi erdhi edhe pas kërcënimit që Tahiri i bëri direkt Ramës duke i kujtuar para mediave se “nuk mban përgjegjësi për vëllain e tij” duke lënë të kuptohet skandalin me përfshirjen e Olsi Ramës në trafikun e drogës të Xibrakës si dhe deklaratën tjetër se “ai nuk ishte shefi i madh”.