Basha në kongresin e Sindikatave: Brenda 6 muajve të parë të qeverisjes rrisim pagën minimale në 300 euro

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi gjatë fjalës së tij në Kongresin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë se, brenda 6 muajve të parë të qeverisjes do të rrisim pagën minimale në 300 euro, ndërsa deri në fund të mandatit, paga minimale rritet në 400 euro.

“Dua që sot ta them qartë dhe publikisht, përkushtimin tonë të parë dhe të palëvizshëm; deklaroj para kësaj asambleje të mbrojtjes së të drejtave të punëmarrëvve shqiptarë, vendimin e Partisë Demokratike për të kaluar brenda gjashtëmujorit të parë të mandatit tonë të parë qeverisës, masën e rrogës minimale, të pagës minimale, në nivelin e 300 eurove dhe deri në fund të mandatit, paga minimale rritet në 400 euro për të gjithë punëmarrësit shqiptarë, si një masë e domodoshme.

Do t’i japim fund koncesioneve korruptive dhe çdo qindarkë që shkon për oligarkët dhe pushtetarët, do ta çojmë për rritjen e pagave, pensioneve dhe për të investuar për të ardhmen e fëmijëve tanë”, u shpreh Basha.