Kryetarët prej letre të bashkive

Nga Red VARAKU

Sot pushteti lokal është në kaos total. Çdo bashki në Shqipëri ka dy kryetarë ose nuk ka kryetar fare. Kjo falë makthit dhe frikës që kapi Ramën, si pasojë e përgjimeve të Zërit të Amerikës dhe gazetës gjermane BILD, të cilat vunë seriozisht në dyshim ligjshmërinë e z. Rama.

Në vend që të jepte menjëherë dorëheqjen, si në çdo vend normal, vazhdoi më tej duke mbuluar krimin dhe duke na futur në një spirale të pandalshme krize, e cila do të përfundojë vetëm kur Rama jo vetëm të jetë larguar, por të jetë mbyllur në qeli, për shkak të përfshirjes së tij në masakrën zgjedhore në Dibër. Sa më shumë të zgjatet kjo gjendje, aq më e rëndë do të na vijë fatura të gjithëve.

Rama dështoi pritshmërinë e opinionit publik vendas dhe të huaj për t’u treguar ndryshe, për të vendosur një standart të ri në politikën shqiptare, standartin e dorëheqjes. Ai e humbi shansin për tu treguar një udhëheqës i një vendi që e ka kaluar tranzicionin. Edhe pse i kapur me zë nga përgjime zyrtare, ai sërish nuk e pranon dështimin.

Ai ka shqetësuar partnerët tanë amerikanë dhe europianë të cilët janë angazhuar seriozisht në zgjidhjen e krizës duke shtuar praninë e tyre dhe duke kërcënuar me moshapje negociatash.

Ai i ka dëshpëruar amerikanët ,kur ashtu si një diktator gjakatar kërcënoi me destablititet, me dhunë dhe gjak opozitën në 30 Qershor. Në fakt, ai vërtetoi pikërisht atë që pretendojnë edhe përgjimet, maninë e tij për të manipuluar procesin zgjedhor, vërtetoi paligjshmërinë e tij dhe prirjet e tij të rrezikshme autoritariste.

Për të mbuluar krimin e tij elektoral ai ndërmori një pisllëk edhe më skandaloz se përgjimet, zgjedhje monopartiake, një çmenduri që do t’ia kishin zili edhe satrapët më të dhunshëm në vendet e botês së tretë, duke e thelluar edhe më tej krizën.

Sa ironike – njeriu që akuzonte Sali Berishën se ishte një autokrat i dhunshëm, që donte të kapte të gjitha pushtetet dhe të zhdukte opozitën, sot bën të njëjtën gjë për të cilën akuzonte ‘dhunuesin e tij’.

Në vend që të japë dorëheqjen dhe të pranojë humbjen dhe dështimin, dhe të largohet me turp, për të mos u kthyer më, ai për hir të pushtetit, vendosi ta çojë vendin drejt një ngjarjeje makabre për demokracinë për të mbuluar skandalin e përgjimeve, zgjedhje të paligjshme pa opozitën

Sot i ka kapur vetë të gjitha pushtetet dhe sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Sot bën gjithcka për të zhdukur opozitën, duke filluar nga dhuna, shantazhet dhe kërcënimet e hapura me burg, dhe për këtë nuk ndjen as përgjegjësinë dhe as turpin më të vogël.

Sot, është kthyer në vrasësin më të madh të demokracisë dhe armikun më të madh të zgjedhjeve të lira.

Të gjithë e kanë të qartë këtë, sepse të gjithë i dëgjuam sesi ai i kishte lëshuar zinxhirësh zagarët e tij, të cilët përdhunuan publikisht, “në mënyrë transparente”, votën e lirë. Por, sërish ai nuk ndjen asnjë përgjegjësi për këtë.

Sërish kërcënon se zgjedhjet e 30 Qershorit janë legjitime duke provokuar konflikt civil me dordolecët e tij pa dinjitet, që i detyron që si hajdutë të shpërthejnë dyert e bashkive. Njerëz që edhe kur garuan me veten, sërish vodhën dhe manipuluan.

Gjithçka është e qartë, e zeza në të bardhë. E tha OSBE/ODHIR në raportin e tyre paraprak, që zgjedhjet ishin të papranueshme, që nuk merrnin parasysh interesin e qytetarëve, por më prerë se të gjithë e tha z.Palmer, i cili duke iu referuar raportit paraprak të OSBE/ODHIR theksoi se vendimi përfundimtar për legjitimitetin e 30 Qershorit i takon Gjykatës Kushtetuese.

Në vend që të priste vendimin e Gjykatës Kushtetuese për 30 Qershorin, siç duhet të bënte çdo kryeministër, që nuk dëshiron konfliktin për popullin e tij, Rama e thelloi edhe më tej krizën dhe vazhdoi në mënyrë të paligjshme dhe krejt pa dinjitet uzurpimin e bashkive. Nuk kishte skena më të shëmtuara se pamja e turmave me pinca dhe kaçavida në duar që mësynin për të grabitur me dhunë dhe polici bashkitë.

Pamje, që na rikujtonin skenat e turpshme pas lufte, kur banditë me letra të vulosura nga këshillat popullore të pasluftës, njerëz që vinin nga llumi i shoqërisë uzurponin plot mllef dhe ngërdheshje pronat dhe shtëpitë e pasunarëve shqiptarë, me argumentin se me urdhër të partisë këto prona nuk i takonin më pronarëve, por sipas partisë i takonin llumit të llumit .

Kapja me dhunë e bashkive e ka futur në kllapi sistemin. Ajo ishte fatale për demokracinë , e për më keq, për shtetin ligjor. Një grusht njerëzish pa dinjitet, frikacakë të një sistemi të diskretituar që ka rënë dhe që mbahet në këmbë vetëm nga kanabisi dhe shitja e aseteve publike, njerëz që mendohet se do të udhëheqin një komunitet të caktuar, e fillojnë sundimin e tyre me një akt tribal, një akt i paprecedentë që dëmton rëndë bashkëjetesën qytetare në komunitet.

Asnjë dorëheqje për bè. Pëkundrazi, paburrëria dhe paturpësia vazhdoi me aktin tribal të uzurpimit me dhunë të bashkive. Dorëheqja do të ishte vërtetë një tregues shumë i rëndësishëm i një Kryetari Bashkie që duam.

Por, duke qenë se Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit dhe i duhet kohë për tu ndërtuar, në mënyrë që këta kryetarë, të kenë legjitimitet dhe të njihen si të tillë ka vetëm një rrugë : zgjedhje të lira dhe të ndershme që të zhvillohen në emër të interesit të qytetarëve.

Përndryshe, për sa kohë këto zgjedhje nuk janë njohur nga OSBE/ ODHIR dhe Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur, në sytë e qytetarëve këta do të mbeten thjesht dordolecë prej letre.