Luftë edhe në spitalin e Fierit, tre të plagosur, vendi nën kontrollin e krimit

Tre persona raportohet se janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në qytetin e Fierit mbrëmjen e sotme (31 gusht). Raportohet se një person i armatosur ka shtënë me armë zjarri brenda ambienteve të Spitalit Rajonal.

Sipas të dhënave paraprake mësohet se ka ndodhur një sherr mes dy grupeve, të cilët në fillim janë konfliktuar me sende të forta, ndërsa më pas sherri ka degjeneruar në përdorimin e armëve.

Sherri fillimisht ka nisur në Levan, për të vazhduar me tej në qytetin e Fierit. Nuk dihen ende rrethanat e sherrit. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për sqarimin e saj.

Një person i armatosur ka hyrë në ambientet e spitalit dhe ka qëlluar ndaj disa shtetasve, duke plagosur 3 vetë.
Bëhet me dije se në Levan ka pasur një sherr mes dy grupeve. Ky sherr ka ndodhur në Levan dhe të plagosurit kishin shkuar më pas në Fier për të marrë ndihmë mjekësore.

Sa duket, njëri prej të përfshirëve në sherr ka ardhur në spital me armë dhe ka qëlluar, duke plagosur 3 vetë. Në spital kanë mbërritur forcat e FNSH. Personi ka hyrë nga hyrja kryesore në mjediset e urgjencës.