Kriza e thellë në Shqipëri, Presidenti Meta flet për median italiane

Presidenti Ilir Meta duke folur për krizën politike në vend thotë se zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin legjitime.

Në një intervistë për mediat italiane il Giornale.it, Meta thotë se të vetmet zgjedhje të ligjshme janë ato të 13 tetorit, dhe se dekreti i tij mund të kundërshtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese dhe kurrësesi nga Kryeministri.

“Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet në 13 tetor, një datë jo rastësore sepse procesi i pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian diskutohet më 18 tetor, një përplasje mes dy fraksioneve politike do të kishte qenë e pashmangshme. Ndërsa unë veproja sipas Kushtetutës, përgjegjësia e kryeministrit ishte që ai nuk e kuptonte që zgjedhjet e mbajtura në këtë mënyrë ishin problem për negociatat.

Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm gjykata kushtetuese mund të sfidojë dekretin e Presidentit dhe është për të ardhur keq që veprimtaria e tij të pezullohet nga vullneti i Ramës. Për të kuptuar parregullsinë, ju them se në 61 bashkitë në të cilat u votua fituan socialistët sepse nuk kishin kundërshtar përballë si gjatë regjimit komunist”.

I pyetur për përgjimet e nxjerra nga gazeta gjermane “Bild” para disa muajsh, Meta është shprehur:

“Ishtë e papranueshme që vitet e fundit nuk janë bërë hetime të thella për këto ngjarje, është një nga rastet më të rënda të funksionimit të shtetit të së drejtës, zgjedhjet e rregullta janë zgjidhja e këtyre problemeve. Ne gjithashtu kemi nevojë për masa më të forta për të zhdukur problemin e drogës, fitimet që rrjedhin nga trafiku i drogës janë shumë më të larta në Shqipëri në krahasim me fuqinë e ekonomisë sonë në krahasim me kombet më të mëdha si Italia apo Gjermania”.

I pyetur për situatën në Italinë fqinje, kreu i shtetit u shpreh:“Unë po ndjek evolucionin e krizës së qeverisë me kujdes, sepse stabiliteti i Italisë është i rëndësishëm për Shqipërinë, kombet tona janë të lidhura me kulture”.